Pro-Eksport Albania kërkon ndryshime në draftin për byrotë e kreditit, propozon 8 pika kyçe
Shoqata e ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese të sektorit fason, Pro-Eksport Albania, ka propozuar një sërë ndryshimesh në projektligjin për byrotë e kreditit. Drafti, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, synon të krijojë një infrastrukturë për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit kreditor të bizneseve, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë në vlerësimin kreditor.
Pro-Eksport Albania, duke mbështetur parimisht krijimin e një sistemi më të plotë të informacionit kreditor nga operatorë privatë, shpreh shqetësimin se projektligji i tanishëm mund të kthehet në një mekanizëm penalizues për bizneset. Kryetari i shoqatës, Edvin Prençe, thekson se marrëdhëniet normale tregtare, si pagesat me afat 30, 60 apo 90 ditë, nuk duhet të trajtohen automatikisht si mospagesë kredie.
Sipas shoqatës, detyrimet e kundërshtuara, në apelim apo proces korrigjimi, duhet të evidentohen si të tilla dhe të mos ndikojnë negativisht në vlerësim deri në përfundimin e verifikimit. Në aktivitetin prodhues dhe eksportues, pagesat me afate të caktuara janë pjesë normale e tregtisë. Gjithashtu, ndodhin shtyrje të dakordësuara, kthime mallrash, kompensime, mosmarrëveshje mbi cilësinë apo sasinë e mallrave, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me paaftësinë paguese të kompanisë.
Për këtë arsye, Pro-Eksport Albania kërkon:
- Përcaktimin e një prag minimal për raportimin, një periudhë të arsyeshme tolerance dhe detyrimin për njoftimin paraprak të biznesit.
- Detyrimet që janë objekt i një kundërshtimi real dhe të dokumentuar të evidentohen si të kundërshtuara dhe të mos ndikojnë negativisht në scoring deri në sqarimin e tyre.
- Transparencë të plotë në vlerësimin kreditor, ku bizneset të kenë mundësi të kuptojnë faktorët kryesorë që ndikojnë, burimin e të dhënave dhe mënyrën e korrigjimit të tyre.
- Një procedurë më të shpejtë për kundërshtimin e të dhënave të pasakta dhe një mekanizëm të qartë përgjegjësie në rast dëmi ekonomik.
- Në rast kundërshtimi me dokumentacion të arsyeshëm, informacionin negativ të mos përdoret për të përkeqësuar renditjen kreditore deri në përfundimin e verifikimit.
- Në rast se informacioni rezulton i gabuar, të njoftohen edhe bankat apo përdoruesit e tjerë që kanë marrë më parë raportin e gabuar.
- Një mekanizëm të vetëm dhe të thjeshtë ankimi, duke qartësuar përgjegjësitë.
- Mbikëqyrje të pavarur të Byrove të Kreditit, auditim periodik të modeleve të vlerësimit dhe një rol të qartë të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe konkurrencën.
Shoqata kërkon gjithashtu transparencë mbi tarifat, akses pa pagesë të biznesit në informacionin bazë që mbahet për të dhe korrigjim pa pagesë të të dhënave të pasakta. Pro-Eksport Albania propozon që RIA të plotësohet me një analizë të kostove që reforma mund të krijojë për bizneset, duke marrë parasysh vlerën e detyrimit, kohëzgjatjen e vonesës dhe faktin nëse ai është shlyer.
Në përfundim, Pro-Eksport Albania kërkon që përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, prodhuesve dhe eksportuesve të përfshihen në hartimin e rregullave zbatuese, duke theksuar se një sistem kreditor funksional duhet të mbrojë njëkohësisht interesat e financuesve dhe të bizneseve.
