Shqipëria: Arsimim i lartë, por “truri” largohet drejt BE

Shqipëria, pranë mesatares së BE-së për arsimin e lartë, por “trurin” po e humbet drejt Europës

Shqipëria shquhet dukshëm mbi shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për pjesën e të rinjve që kanë përfunduar arsimin e lartë. Sipas të dhënave të Censit të vitit 2023, 43.2% e popullsisë në moshën 25-34 vjeç dispononte një kualifikim terciar. Ky nivel është shumë afër mesatares së Bashkimit Europian, e cila në vitin 2025 arriti 44.8%, sipas të dhënave të Eurostat. Diferenca mes tyre është vetëm 1.6 pikë përqindjeje.

Në letër, ky është një nga treguesit ku Shqipëria duket pothuajse europiane. Problemi lind kur niveli i arsimimit krahasohet me të ardhurat për frymë dhe mundësitë ekonomike që ofron vendi. Ndërsa të rinjtë shqiptarë po afrohen me BE-në për nga niveli i arsimimit, hendeku në të ardhura mbetet shumë i madh. Si pasojë, një pjesë e kapitalit njerëzor të krijuar në vend përfundon duke u shfrytëzuar nga tregjet e punës më të pasura jashtë vendit.

Për shembull, Shqipëria ka një nivel arsimimi dukshëm më të lartë se Italia. Italia ka vetëm 31.1% të popullsisë në moshën 25-34 vjeç me arsim të lartë, duke u renditur e treta nga fundi në Europë, pas saj janë vetëm Bosnja dhe Rumania. Edhe në krahasim me Greqinë (42.8%), një vend që ka qenë destinacion kryesor për emigrimin pas vitit 1990, Shqipëria kryeson lehtë. Madje, Shqipëria tejkalon edhe Gjermaninë, ku ky tregues është 40.9%.

Ironia qëndron në faktin se Shqipëria po arrin të prodhojë një përqindje relativisht të lartë të të diplomuarve, por e ka shumë më të vështirë t’i mbajë ata brenda vendit. Largimi i trurit po bëhet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e vendit. Komisioni Europian ka evidentuar të njëjtin problem. Në Raportin për Shqipërinë 2025, emigrimi i punonjësve të kualifikuar përmendet si një faktor që thellon mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të rëndësishëm dhe kontribuon në “brain drain”, pra largimin e kapitalit njerëzor.

Shqipëria mbi shumicën e rajonit

Të dhënat më të fundit të disponueshme për Ballkanin Perëndimor, sipas Eurostat, tregojnë se në Serbi, në vitin 2025, 39.1% e popullsisë së kësaj grupmoshe kishte përfunduar studimet terciare. Në Maqedoninë e Veriut niveli ishte 38.8%, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë vetëm 28%. Për Malin e Zi, të dhënat e Eurostat nuk janë të reja pas vitit 2020, kur treguesi ishte 38.4%.

Ky krahasim duhet lexuar me një rezervë metodologjike. Të dhënat shqiptare vijnë nga Censi 2023, ndërsa treguesi i Eurostat, për vendet e tjera mbështetet te Anketa e Forcave të Punës. Eurostat e përkufizon atë si pjesën e 25-34-vjeçarëve që kanë përfunduar nivelet 5-8 të klasifikimit ndërkombëtar ISCED. Baza europiane përfshin vendet e BE-së, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe disa shtete të tjera, por jo Shqipërinë.

Megjithatë, edhe vetë INSTAT në raportin e censit thekson se nga popullsia e moshës 25-34 vjeç, 43.2% ka përfunduar arsimin e lartë. Kjo përqindje është shumë pranë nivelit 43.1% të regjistruar në 2023 për të njëjtën grupmoshë në BE dhe vetëm 1.8 pikë përqindjeje nën objektivin prej 45% të Bashkimit Europian për vitin 2030.

BE pothuajse e ka arritur objektivin e vitit 2030

Në Bashkimin Europian, sipas Eurostat, pjesa e 25-34-vjeçarëve me arsim terciar ka avancuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2005, vetëm 27.2% e kësaj grupmoshe kishte përfunduar studime të larta. Në vitin 2025, niveli arriti 44.8%, ose 17.6 pikë përqindjeje më shumë. BE ka vendosur si objektiv që deri në vitin 2030 të paktën 45% e popullsisë 25-34 vjeç të ketë një kualifikim të tillë. Me rezultatin e vitit të kaluar, ky prag praktikisht është vetëm 0.2 pikë larg.

Diferencat gjinore janë të konsiderueshme. Në vitin 2025, 50.5% e grave të kësaj moshe kishin përfunduar arsimin terciar, kundrejt 39.3% të burrave. Hendeku arrin kështu në më shumë se 11 pikë përqindjeje.

Vendbanimi krijon një ndarje po aq të fortë. Në qytetet e BE-së, 55% e 25-34-vjeçarëve kishin një kualifikim të lartë, ndërsa në qyteza dhe periferi pjesa zbriste në 38.4%. Në zonat rurale treguesi ishte vetëm 32.9%.

Eurostat vëren se nga viti 2005 deri më 2025, të gjitha vendet e BE-së shënuan përmirësim. Malta pati ndryshimin më të madh, me 29.9 pikë përqindjeje, e ndjekur nga Luksemburgu me 28 dhe Irlanda me 25.9. Në skajin tjetër, Finlanda shënoi vetëm 0.7 pikë më shumë, ndërsa Rumania dhe Estonia përparuan përkatësisht me 9.5 dhe 11.2 pikë. Në vitin 2025, Irlanda dhe Luksemburgu ishin pranë nivelit 66%, ndërsa Rumania mbeti poshtë 25%, duke treguar se edhe brenda BE-së hendeku në arsimimin e brezit të ri vazhdon të jetë i madh.

Scroll to Top