Rama kundër akuzave për mbylljen e llogarive në Instagram: “Turp për këtë bandë dështakesh, revolucioni është shfryrë”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar fort ndaj Partisë Demokratike Europiane, e cila ka pretenduar se rreth 200 llogari në Instagram, të lidhura me të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, janë në pronësi të personave pranë qeverisë shqiptare. Rama ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë në mbylljen e këtyre llogarive, duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe të turpshme.
“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme? Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe të turpërimit nga kundërshtarët e mi për aq kohë sa jam në politikë. Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që hiqen si demokratë europianë, është vërtet për të ardhur keq.”
Kryeministri sugjeron se këto akuza mund të vijnë nga të njëjtat burime që kanë ushqyer “Revolucionin Flamingo” dhe kaosin në Ceuta, me qëllim ringjalljen e një lëvizjeje tashmë të dështuar.
“Po sikur e gjithë kjo farsë të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shumë prej të cilave ushqyen gjithashtu kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: për t’i dhënë sërish jetë një “revolucioni” që tashmë është shfryrë. A nuk ka kuptim kjo? Sigurisht që po. Por, me sa duket, jo për këta demokratë vetëm në emër.”
Rama përfundoi duke theksuar qartë qëndrimin e tij:
“Prandaj, më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi të bëjmë aspak me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla.”
