Llogaria e Instagramit e Agron Shehajt u mbyll, akuzohet qeveria për censurë

Çfarë ndodhi? Llogaria e Agron Shehajt në Instagram u mbyll, Erald Kapri shprehet: Po censurohet!

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është një nga politikanët më aktivë në rrjetet sociale, duke shpërndarë shpesh postime dhe reagime mbi ngjarjet aktuale politike. Megjithatë, ditën e sotme, deputeti nuk ka mundur të vazhdojë aktivitetin e tij normal në llogarinë e tij në Instagram, pasi ajo është bllokuar. Llogaria me emrin Agron Shehaj nuk figuron më në këtë rrjet social, duke treguar se është fshirë.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe deputeti i “Mundësia”, Erald Kapri. Ai shprehet se Shehaj nuk ka marrë asnjë sqarim në lidhje me arsyet e bllokimit të llogarisë së tij. Kapri e cilëson mbylljen si një përpjekje të qeverisë për të censuruar aktivitetin e Shehajt, duke marrë parasysh mbështetjen e hapur të këtij të fundit për protestat e qytetarëve gjatë ditëve të fundit.

Deputeti shton se mbyllja e një faqeje me kaq shumë ndjekës dhe shikime në Instagram mund të bëhet vetëm përmes shpenzimeve të konsiderueshme financiare. Sipas tij, qeveria i ka siguruar këto fonde përmes lidhjeve me organizata jo transparente. Ai argumenton këtë hipotezë duke vënë në dukje se edhe shumë persona të tjerë që kanë bërë postime në mbështetje të protestës, kanë hasur censurë në aktivitetin e tyre online.

Më tej, Kapri informon se Shehaj po përgatit të gjithë hapat ligjorë për rikthimin e faqes së tij.

Reagimi i plotë i Erald Kaprit:

Censura e pushtetit, faqja e Instagramit e Agron Shehajt u mbyll!

Kreut të Partisë “Mundësia” dhe deputetit Agron Shehaj i është bllokuar faqja e tij në Instagram, pa asnjë paralajmërim. Kjo censurë vjen pas aktivitetit të shtuar të Agron Shehajt në mbështetje të protestës kombëtare. Mbyllja e një faqeje me kaq shumë ndjekës dhe shikime në Instagram mund të realizohet vetëm përmes shpenzimeve të mëdha financiare.

Zoti Shehaj po përgatit të gjithë hapat ligjorë për rikthimin e faqes. Megjithatë, censura në këto nivele, e ushtruar nga grupe financiare dhe të tjera me natyrë të paqartë, të lidhura me qeverinë, përbën një shqetësim të madh për demokracinë në Shqipëri.

Krahas Shehajt, edhe shumë aktivistëve të protestës u është mbyllur faqja në Instagram pikërisht dje, çka sugjeron një plan të strukturuar, me burime të mëdha financiare, për të dëmtuar opozitën dhe për të goditur protestën që kërkon dorëheqjen e kryeministrit.

Ky sulm ndaj Shehajt, një prej figurave kryesore të opozitës, shënon një nivel të paprecedentë dhune informative ndaj një deputeti kaq aktiv në Parlament. Ai është përjashtuar disa herë nga punimet e Kuvendit në pesë muajt e fundit dhe ka qenë në qendër të sulmeve personale nga ana e pushtetit.

Kjo formë censurë krijon një precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri, ku pushteti shpenzon resurse për të mbyllur fjalën e lirë të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, duke sjellë pasoja të rënda për vendin.

Scroll to Top