Pagat e Drejtësisë: Financat sqaron KLGJ e KLP, listëpagesa gabim

Pagat e drejtësisë të bllokuara? Ministria e Financave sqaron: KLGJ dhe KLP kanë paraqitur listëpagesat gabim.

Publikuar më 03.09.2026 nga Shek

Ministria e Financave ka reaguar lidhur me kërkesën për zhbllokimin e pagave për magjistratët dhe personelin e sistemit të drejtësisë. Ministri Petrit Malaj ka shpjeguar se pagat nuk janë bllokuar, por për shkak se Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë paraqitur listëpagesat për muajin gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo aktualisht në fuqi, nuk është kryer kalimi i fondeve.

Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhër-shpenzimet për muajin gusht të paraqiten sërish, duke u bazuar te metodologjia e përdorur deri në muajin korrik. Kjo kërkesë vjen për arsye se ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas Ministrit të Financave, vendimi numër 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese, është përfundimtar dhe detyrues. Megjithatë, zbatimi i tij kërkon ndryshime ligjore përkatëse, të cilat i janë lënë për miratim Kuvendit.

“Ministria e Financave as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar. Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe që të kryejnë pa vonesë pagesat”, u shpreh Malaj.

Më 26 gusht, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe dy ditë më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë një rritje të konsiderueshme. Argumenti i tyre ishte se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda datës 31 korrik, edhe pse ishte i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses.

Scroll to Top