Talent i madh politik, por nuk e mbajti dot peshën e pushtetit
Ja për kë i thotë këto fjalë Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot rinisjen e podkastit “Flasim”, ku në episodin e parë u shfaq përballë gazetares Rudina Xhunga. Ajo e pyeti, mes të tjerash, edhe për Ilir Metën, të cilin Rama e përshkroi si një “talent politik”. Megjithatë, Rama shtoi se Meta nuk e mbajti dot peshën e pushtetit dhe u shndërrua në një personazh qesharak.
Pjesë nga biseda:
Rudina Xhunga: Po Ilir Meta?
Edi Rama: Ishte një talent, talent i madh politik që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme. Ka ngrënë, e ka futur nën vete shumë burra. Domethënë, u katandis në një personazh qesharak.
Edi Rama dhe Ilir Meta u njohën në fillim të viteve ’90, njëri si publicist dhe pedagog, dhe tjetri si deputet i ri i Partisë Socialiste. Bashkëpunimi i tyre zyrtar nisi në prill të vitit 1998, kur Ilir Meta shërbeu si Sekretar Shteti, kurse Edi Rama u bë Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas viteve 2013–2017, marrëdhënia e tyre u ftoh dhe u shndërrua në një përplasje të ashpër politike dhe institucionale, sidomos gjatë periudhës kur Ilir Meta ishte President i Republikës dhe Edi Rama Kryeministër.
