Rama flet për largimin nga politika: “Pasardhësi duhet të të vrasë, do shpëtoni nga unë kur të kaloj pragun”
Botuar më 06.09.2026 nga Shek
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se së shpejti pritet të rikthehet podkasti i tij “Flasim”. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një përmbledhje të shkurtër nga episodi i parë i sezonit të ri, ku ai do të jetë përballë pyetjeve të Rudina Xhungës.
Në video, Rama flet për aktualitetin politik, Bashkinë e Tiranës, punën e SPAK-ut, por edhe për të ardhmen e tij në politikë. Mes të tjerave, Rama shprehet se në politikë, ai që të sfidon dhe bëhet pasardhësi yt duhet të të “vrasë”. Megjithatë, kryeministri shton se nuk ka ndërmend të zgjedhë një pasardhës.
“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë do të kaloj pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga unë”, deklaron Rama.
Kryeministri ka komentuar gjithashtu situatën në Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar drejtimin aktual si një eksperiment.
“Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, shprehet ai.
Sa i përket ishullit të Sazanit, Rama ka rikthyer në vëmendje qëndrimin e tij për projektin e zhvillimit të ishullit, duke theksuar se prona do të mbetet në pronësi të Shqipërisë.
“Ata nuk po blejnë ishullin, as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, thotë kryeministri.
Rama ka folur edhe për SPAK-un, duke e kritikuar për mënyrën se si, sipas tij, janë përdorur mediat në raport me personat që më pas janë marrë nën akuzë.
“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata që do të merrte nën akuzë. Kjo nuk bëhet”, deklaron ai.
