“`html
Gjallërohet huadhënia për bujqësinë, por pesha në kreditim ngelet shumë e ulët
Kredia për sektorin e bujqësisë po tregon një ecuri më të mirë këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për shtatë muajt e parë të vitit 2026, sektori bankar ka dhënë gjithsej 1.38 miliardë lekë kredi për bujqësinë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re për bujqësinë është rritur me 23%.
Megjithatë, pesha e kredisë për bujqësinë krahasuar me vlerën totale të financimit të bizneseve mbetet shumë e ulët. Kredia e re për bujqësinë zinte rreth 0.8% të shumës së përgjithshme të kredisë për biznes të disbursuar nga sektori bankar, ndërkohë që një vit më parë përbënte 0.7%.
Vlera totale (teprica) e portofolit të kredisë për sektorin bujqësor në fund të muajit korrik të këtij viti arriti në 6.83 miliardë lekë, duke u rritur me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Që prej vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë zbaton një program mbështetjeje për bizneset e vogla dhe të mesme (SME). Banka e Shqipërisë është angazhuar t’u ofrojë bankave tregtare likuiditete me një normë vjetore interesi prej 0.5%. Me këto fonde, sektori bankar mund të japë kredi për SME-të me një normë interesi vjetore jo më të lartë se 3.5%.
Megjithatë, norma e interesit mund të jetë edhe më e ulët nëse programi kombinohet me skemën e garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare:
- Në rastin kur garancia mbulon 15% – 35% të rrezikut të kredisë, interesi nuk mund të jetë më i lartë se 3%.
- Në rast se garancia sovrane mbulon 35% – 55% të rrezikut të kredisë, interesi maksimal do të jetë 2.5%.
- Në rast se garancia sovrane mbulon 55% – 75% të rrezikut të kreditit, norma tavan e interesit do të jetë 2%.
Për të plotësuar më tej programin e financimit me kosto të ulët, të hartuar nga Banka e Shqipërisë, ofrohet një skemë e garancisë sovrane me një fond prej 3 miliardë lekësh. Ky instrument synon të lehtësojë aksesin në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Garancia do të mbulojë deri në 70% të principalit të kredisë, shuma e së cilës nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin subjekt aplikues.
Megjithatë, ekspertët e sektorit bankar kanë shprehur dyshime se këto skema mund ta ndihmojnë ndjeshëm kreditimin e fermerëve. Sipas tyre, kostot e riskut, kostot operacionale dhe ato logjistike në sektorin e bujqësisë janë shumë të larta. Marzhet e parashikuara në programin e Bankës së Shqipërisë për SME-të nuk mund t’i mbulojnë këto kosto, duke e bërë kreditimin e fermerëve më pak tërheqës për bankat.
Edhe në rastin kur risku i kredisë mbulohet pjesërisht me një skemë garancie, kostot e tjera mbeten kaq të larta saqë është e vështirë që një normë e tillë interesi të jetë e leverdishme për një institucion financiar.
Sipas bankierëve, kreditimi i bujqësisë paraqet shumë vështirësi dhe sfida që, me pak përjashtime sporadike, e kanë mbajtur në përgjithësi larg sistemin bankar nga ky sektor. Problemet kryesore lidhen me informalitetin, mungesën e garancive dhe kolateraleve, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimin e lartë të tokës (fermat e vogla), moskrijimin e ekonomive të shkallës dhe mungesën e bashkëpunimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosish apo shfrytëzimin e përbashkët.
Burimi: BSH
“`