Shtatori i nxehtë: Kuvendi përballet me mosmarrëveshje, reforma e protesta

Kuvendi përballet me një shtator të nxehtë: Nga mosmarrëveshjet për pagat e magjistratëve te reformat dhe protestat

Botuar më 07.09.2026 nga Shek

Nga nesër pritet të rifillojë puna e Kuvendit, pas pushimeve verore. Seanca është planifikuar të fillojë në orën 17:00 dhe në rendin e ditës përfshihen tre pika: hapja e punimeve të Sesionit të III-të të Legjislaturës së XI-të, miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datës 27 korrik 2026 dhe njoftimet.

Seanca e parë pritet të jetë kryesisht ceremoniale. Puna konkrete e Kuvendit do të fillojë me përcaktimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën e re parlamentare.

Fokusi kryesor i Kuvendit pritet të jetë zgjidhja e ngërçit të krijuar me pagat e magjistratëve. Këta të fundit kërcënojnë të çojnë çështjen deri në kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu, prokurorët paralajmërojnë se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative me një kërkesë për sigurimin e padisë, për të bllokuar Thesarin dhe llogaritë e të gjithë administratës publike deri në ekzekutimin me përmbarim të pagave të tyre.

Një çështje tjetër e rëndësishme që pritet të marrë vëmendjen e ligjvënësve është Reforma Territoriale. Për disa muaj, plani i propozuar nga Partia Socialiste për kufizimin e numrit të bashkive ka shkaktuar polemika. Bashkitë e vogla, të cilat parashikohet të shkrihen me bashkitë e mëdha, janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar hapur. Ky plan kundërshtohet gjithashtu edhe nga opozita, e cila ka paraqitur një tjetër projekt ku parashikohet rritja e numrit të bashkive.

Krahas reformës territoriale, në Kuvend pritet të rikthehet në fokus edhe reforma zgjedhore. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të diskutohen gjatë muajve në vijim, ndërsa puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore do të jetë një tjetër çështje në axhendën e Kuvendit.

Një problem tjetër me të cilin duhet të përballen ligjvënësit në rifillimin e punës janë dhe protestat. Ashtu si në seancën e fundit të zhvilluar më 27 korrik, qytetarët pjesë e “Revolucionit Flamingo” kanë paralajmëruar rrethimin e godinës dhe goditjen e politikanëve me vezë dhe domate. Ata gjithashtu synojnë të mos i lejojnë ligjvënësit të hyjnë në sallën e mbledhjeve, por mbetet për t’u parë sa sukses do të kenë.

Në rastet e mëparshme, policia është angazhuar për garantimin e sigurisë dhe qetësisë, duke rrethuar Kuvendin dhe madje duke bllokuar disa rrugë në kryeqytet, për të mos lejuar protestuesit t’i afrohen godinës. Një taktikë e përdorur nga socialistët ka qenë hyrja në Kuvend më herët se ora e përcaktuar për nisjen e seancës, nëpërmjet rrugicave.

Protestat e mëparshme janë zhvilluar me tensione dhe i njëjti skenar pritet të përsëritet edhe pasditen e sotme. Përveç vezëve dhe domateve, organizatorët kanë bërë thirrje këtë herë edhe për pajisjen me flakadanë, pasi do të përgatisin një “surprizë” për politikanët.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: vera ishte e nxehtë, por muajt në vazhdim pritet të jenë edhe më të nxehtë për politikën në vend.

Scroll to Top