“`html
Inflacioni 3.2% në gusht, i nxitur nga ushqimet dhe karburantet
Inflacioni shënoi një rritje në gusht, duke arritur në 3.2%, krahasuar me 3.4% në korrik. Ky është muaji i tretë radhazi që norma e inflacionit tejkalon objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, rritja më e ndjeshme e çmimeve është vënë re në grupin “Transporti” me 12.0%. Të ndjekur nga grupet “Argëtim, sport dhe kulturë” me 5.4%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.6%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 3.7%. Po aq, rritje prej 2.8% kanë shënuar edhe grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Kujdes personal dhe mallra e shërbime të ndryshme”. Ndërkohë, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi rritje prej 2.4%,.
Në anën tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” pësuan një rënie prej 3.2%, ndërsa grupi “Informacioni dhe komunikimi” shënoi ulje prej 1.0%.
Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.95 pikë përqindje, i ndjekur nga grupi “Transporti” me +0.79 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuan me +0.76 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.19 pikë përqindje, dhe çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” me +0.13 pikë përqindje. Grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” kontribuan secili me +0.12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” u rritën me +0.11 pikë përqindje, grupet “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0.07 pikë përqindje secili, dhe grupi “Shëndeti” me +0.06 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” ndikuan me -0.12 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me -0.04 pikë përqindje.
Në mbledhjen e fundit, në fillim të gushtit, Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, pavarësisht sinjaleve të qarta të rritjes së inflacionit. Guvernatori Sejko deklaroi se “Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje, si pasojë e efekteve direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet e huaja, si dhe e kërkesës së qëndrueshme për mallra e shërbime. Megjithatë, niveli i inflacionit mbetet i kontrolluar dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë”. Ai shtoi se inflacioni parashikohet të qëndrojë pranë, por mbi objektiv, në periudhën afatshkurtër dhe të zbresë gradualisht drejt objektivit në periudhën afatmesme. Në këto rrethana, goditja e ofertës nga tregjet ndërkombëtare pritet të ketë efekte kalimtare në ekonominë e vendit.
Ndërkohë, edhe në Eurozonë inflacioni u përshpejtua në gusht, duke arritur në 3.3%. Ndryshe nga Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore Europiane e ka rritur njëherë normën bazë pak javë më parë. Me inflacionin në Eurozonë që ka arritur në 3.3% dhe kostot e energjisë në rritje të fortë, tregjet po parashikojnë një tjetër rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane më 10 shtator.
Burimi: INSTAT
“`
