PISA 2025: Shqipëria shënon përmirësim në matematikë dhe shkencë, por rezultatet kanë kufizime
Nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri vazhdojnë të mbeten dukshëm poshtë mesatares së vendeve të OECD-së në aftësitë bazë. Megjithatë, rezultatet e PISA 2025 e pozicionojnë vendin më mirë se disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në matematikë dhe shkencë.
Sipas raportit më të fundit “PISA 2025”, të publikuar nga OECD, Shqipëria ka arritur mesatarisht:
- 435 pikë në shkencë
- 408 pikë në lexim
- 433 pikë në matematikë
Për krahasim, mesatarja e vendeve të OECD-së ishte përkatësisht 482 pikë në shkencë, 461 pikë në lexim dhe 463 pikë në matematikë. Kjo do të thotë se diferenca e Shqipërisë me mesataren e OECD-së është 47 pikë në shkencë, 53 pikë në lexim dhe 30 pikë në matematikë.
PISA 2025 përfshiu mbi 760 mijë nxënës 15-vjeçarë nga 91 vende dhe ekonomi, duke përfaqësuar rreth 33 milionë të rinj. Shkenca ishte fusha kryesore e testimit, përveç leximit, matematikës dhe një vlerësimi të ri për të nxënit në botën digjitale. OECD konstaton se performanca në shumë vende ka ngecur ose është dobësuar pas rënies së fortë të rezultateve në vitin 2022.
Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor në matematikë
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pjesëmarrëse në PISA 2025, Shqipëria paraqitet relativisht më mirë, sidomos në matematikë. Me 433 pikë, Shqipëria ka rezultatin më të lartë në këtë fushë mes vendeve të rajonit.
- Serbia: 417 pikë
- Mali i Zi: 411 pikë
- Maqedonia e Veriut: 380 pikë
- Kosova: 350 pikë
Bosnja dhe Hercegovina nuk ka marrë pjesë në PISA 2025.
Në shkencë, Shqipëria gjithashtu kryeson këtë grup me 435 pikë, po aq sa Mali i Zi. Serbia ka arritur 429 pikë, ndërsa diferenca me Maqedoninë e Veriut (378 pikë) dhe Kosovën (357 pikë) është më e theksuar.
Pamja ndryshon në fushën e leximit. Mali i Zi (418 pikë) dhe Serbia (415 pikë) kanë rezultate më të larta se Shqipëria (408 pikë). Maqedonia e Veriut renditet e parafundit me 357 pikë dhe Kosova e fundit me 340 pikë.
Nëse krahasimi shtrihet edhe me vende të tjera të rajonit, si Kroacia dhe Sllovenia, diferencat bëhen më të qarta. Kroacia ka marrë 476 pikë në shkencë, 453 në lexim dhe 455 në matematikë. Sllovenia ka arritur 484 pikë në shkencë, 445 në lexim dhe 460 në matematikë. Greqia, me 434 pikë në shkencë, ishte afër Shqipërisë, ndërsa në lexim (423 pikë) e kaloi atë. Në matematikë, Shqipëria rezultoi 9 pikë më lart se Greqia.
Një tregues tjetër i hendekut me sistemet arsimore më të zhvilluara është përqindja e nxënësve me rezultate shumë të larta dhe shumë të ulëta. Vetëm 1.9% e nxënësve shqiptarë u klasifikuan mes performuesve më të mirë në të paktën një nga tre fushat kryesore, krahasuar me mesataren prej 11.9% në OECD. Nga ana tjetër, 27.8% e nxënësve shqiptarë rezultuan nën nivelin bazë 2 në të tre fushat, kundrejt 19.7% në OECD.
Vajzat më të suksesshme në shkencë dhe lexim, djemtë lehtësisht para në matematikë
Rezultatet tregojnë gjithashtu diferenca gjinore të konsiderueshme:
- Shkencë: Vajzat morën mesatarisht 443 pikë, kundrejt 426 pikëve të djemve (diferencë 17 pikësh në favor të vajzave).
- Lexim: Hendeku është edhe më i madh, me vajzat që shënuan 423 pikë dhe djemtë 391 (diferencë 32 pikësh në favor të vajzave).
- Matematikë: Situata përmbyset, por diferenca është e vogël. Vajzat morën 431 pikë, ndërsa djemtë 435 pikë.
Rikthim i fortë krahasuar me rezultatet e 2022
Krahasimi me rezultatet e mëparshme ofron një sinjal shumë pozitiv. Në PISA 2022, Shqipëria kishte marrë vetëm 368 pikë në matematikë, 358 në lexim dhe 376 në shkencë. Rezultatet e vitit 2018 ishin përkatësisht 437 pikë në matematikë, 405 në lexim dhe 417 në shkencë.
Në raport me vitin 2018, matematika në PISA 2025 është vetëm 4 pikë më poshtë, leximi është 3 pikë më lart, ndërsa shkenca është 18 pikë më lart. Këto të dhëna sugjerojnë se rënia e fortë e vitit 2022 është pothuajse plotësisht zhbërë.
Kufizime metodologjike
Norma e pjesëmarrjes së shkollave në Shqipëri ishte vetëm 76% në PISA 2025. Shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm nuk u kontaktuan dhe, rrjedhimisht, nuk morën pjesë. OECD vëren se këto shkolla priren të jenë më të përfaqësuara në zonat rurale dhe me kushte socio-ekonomike më të vështira, ku rezultatet historikisht kanë qenë më të ulëta.
Për këtë arsye, Shqipëria është vendosur në kategorinë e vendeve me “raportim të kufizuar”, dhe OECD nuk publikon krahasimin zyrtar të trendit 2022-2025. Mungesa e plotë e shkollave të vogla krijon një boshllëk në mbulimin e kampionit që nuk mund të kompensohet plotësisht statistikisht. OECD llogarit se, në një skenar të pafavorshëm, rezultati mesatar real në shkencë për Shqipërinë mund të ishte 428 pikë, në vend të 435 pikëve të raportuara.
Probleme me interpretimin kishin edhe rezultatet e vitit 2022. OECD paralajmëroi se nxënësit shqiptarë kishin treguar ndjeshëm më pak përpjekje gjatë testimit krahasuar me vitin 2018, dhe kishte indikacione të qarta se një pjesë e tyre nuk ishin angazhuar seriozisht me testin dhe pyetësorin. Për këtë arsye, edhe rezultatet e dobëta të vitit 2022 duhej të interpretoheshin me kujdes.
Hendeku me OECD-në mbetet problemi kryesor
Përtej kufizimeve metodologjike, PISA 2025 sinjalizon qartë pozicionin e Shqipërisë. Vendi paraqitet më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka rezultatin më të lartë në matematikë në këtë grup. Megjithatë, hendeku me mesataren e OECD-së mbetet i konsiderueshëm në të tre fushat, duke qenë veçanërisht i madh në lexim.
Në këtë kontekst, rezultati i vitit 2025 nuk mund të shihet si provë statistikisht e konfirmuar e një përmirësimi të fortë të arsimit shqiptar ndaj vitit 2022. Ai tregon se niveli i pikëve të matur është kthyer afër ose mbi atë të vitit 2018 në dy nga tri fushat. Sfidë kryesore mbetet afrimi me standardet e vendeve të OECD-së.
