Për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët dhe europianët: 29% për ushqime, gati trefishi i BE-së
Shqiptarët kanë një nivel konsumi individual dukshëm më të ulët se mesatarja europiane, por për ushqimet shpenzojnë thuajse po aq euro për frymë sa qytetarët e Bashkimit Europian. Ky kontrast bën që ushqimet të zënë një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të konsumit në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, konsumi individual aktual në Shqipëri arrin në 8,656 euro për banor në vit, ose rreth 20.3 miliardë euro në shkallë vendi. Mesatarja e BE-së është 27,463 euro për frymë. Kjo do të thotë se të ardhurat për frymë të një shqiptari janë vetëm rreth 32% të një banori në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Diferenca më e theksuar shfaqet te ushqimet, jo për vlerën, por për peshën ndaj totalit, një tregues i mundshëm i varfërisë në vend. Nga 8,656 euro që përbëjnë konsumin vjetor për banor në Shqipëri, 2,513 euro shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike. Në total, kjo kategori përllogaritet në rreth 5.9 miliardë euro, ose 29% të gjithë konsumit individual.
Në BE, për ushqime shpenzohen mesatarisht 2,847 euro për frymë, pra vetëm rreth 13% më shumë në vlerë absolute se në Shqipëri. Megjithatë, për shkak të të ardhurave shumë më të larta në dispozicion, të cilat u japin mundësi të konsumojnë më shumë në kategoritë e tjera, pesha e ushqimeve në shportën europiane është vetëm 10.4%. Kështu, ushqimet zënë në Shqipëri një pjesë 2.8 herë më të lartë se në mesataren e BE-së.
Pas ushqimeve, ndër kategoritë me peshën më të madhe në Shqipëri janë shpenzimet për banesën dhe energjinë. Për banesën, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe lëndët e tjera djegëse llogariten 1,172 euro për banor, ose rreth 2.75 miliardë euro gjithsej. Kjo kategori merr 13.5% të konsumit, më pak se niveli prej 18.8% në BE.
Edhe mobilimi, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e banesës kanë peshë dukshëm më të lartë në Shqipëri. Për këtë grup shpenzohen 751 euro për banor, ose rreth 1.77 miliardë euro në total. Kategoria përbën 8.7% të konsumit, kundrejt vetëm 3.8% në BE.
Në të kundërt, shëndetësia merr një pjesë më të vogël të konsumit shqiptar. Eurostat llogarit 662 euro për frymë, ose rreth 1.56 miliardë euro në nivel vendi, ekuivalente me 7.6% të totalit. Në Bashkimin Europian, pesha e saj arrin në 13.4%.
Edhe transporti zë më pak peshë në strukturën shqiptare: 576 euro për banor dhe rreth 1.36 miliardë euro në total, ose 6.7%, përkundrejt 9.9% në BE.
Për restorante dhe akomodim përllogariten 427 euro për frymë, ndërsa pjesa ndaj konsumit është 4.9%, krahasuar me 7.2% në Union. Për veshje dhe këpucë, një shqiptar shpenzon 205 euro në vit (2.4% e totalit), përkundrejt 881 euro mesatarja e BE-së (3.2% e totalit).
Një nivel i lartë shpenzimesh raportohet për zërin “Rekreacion, sport dhe kulturë”, ku përfshihen edhe paketat turistike. Në Shqipëri përllogariten 1,162 euro për frymë, me një vlerë totale prej rreth 2.73 miliardë eurosh, nga 1900 euro për frymë mesatarja e BE-së. Pesha arrin në 13.4%, pothuajse dyfishi i mesatares europiane prej 6.9%.
Ky zë, në pamje të parë, duket shumë i lartë, por më shumë sesa shpenzime të larta për argëtim, arsyeja kryesore lidhet me mënyrën sesi ndërtohen llogaritë kombëtare. INSTAT, si burim i të dhënave për Shqipërinë, shpjegon se konsumi final i familjeve nuk merret vetëm nga Anketat e Buxhetit, por rindërtohet nga një numër burimesh administrative dhe ekonomike. Pikërisht për grupin “Rekreacion dhe kulturë”, INSTAT thotë se paketat turistike vlerësohen duke ekstrapoluar të dhënat sipas prodhimit të sektorit të akomodimit dhe ushqimit, ndërsa pajisjet audiovizive, pajisjet e mëdha për rekreacion, artikujt rekreativë, kopshtaria, kafshët shtëpiake, librat dhe artikujt e kancelares vlerësohen edhe nga prodhimi i tregtisë. Pajisjet audio/video janë vlerësuar gjithashtu nga importet, duke u shtuar TVSH-ja dhe marzhi tregtar. Në kontrast, Anketa e Buxhetit të Familjeve 2024, ku familjet raportojnë shpenzimet e tyre, e nxjerr rekreacionin dhe kulturën vetëm 2.6%.
Eurostat shpjegon se treguesi i konsumit individual aktual është më i gjerë se pagesat që familjet bëjnë drejtpërdrejt nga xhepi, pasi përfshin edhe shërbime individuale të financuara nga shteti, sidomos në fusha si shëndetësia dhe arsimi.
