Pyjet & Kullotat Shqipërisë: Sipërfaqe Stabile, Zgjerim Zonash të Mbrojtura

Pyjet dhe kullotat mbulojnë 60% të territorit, sipërfaqja mbetet e pandryshuar në 2025

Fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë nuk pësoi ndryshime gjatë vitit 2025, duke mbetur në rreth 1.73 milionë hektarë, ose 60.2% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Këto të dhëna u publikuan nga INSTAT.

Nga sipërfaqja totale e fondit pyjor dhe kullosor:

  • Rreth 1.15 milionë hektarë, ose 66.2%, janë pyje.
  • Kullotat dhe livadhet zënë rreth 449 mijë hektarë, ose 25.9%.
  • 136 mijë hektarë, ose 7.9%, përbëhen nga sipërfaqe me bimësi pyjore dhe joproduktive.

Struktura ka mbetur e njëjtë krahasuar me vitin 2024. Të dhënat tregojnë se në dy vitet e fundit nuk ka pasur ndryshim të sipërfaqes së fondit. Në vitin 2023 ai ishte rreth 1.733 milionë hektarë, ndërsa në vitin 2024 u reduktua në 1.732 milionë hektarë dhe qëndroi në të njëjtin nivel edhe gjatë vitit 2025.

Sipërfaqja e pyjeve ra nga 1.147 milionë hektarë në vitin 2023 në 1.146 milionë hektarë në vitin 2024, pa ndryshuar më tej gjatë 2025-s. Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve në vend arriti në rreth 53 milionë metër kub në vitin 2025. Pjesa dërrmuese, 93.9%, përbëhet nga pyje publike, ndërsa vetëm 6.1% është në pronësi private.

Ndryshe nga sipërfaqja e fondit pyjor, territori i klasifikuar si zonë e mbrojtur u zgjerua gjatë vitit të kaluar. Në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte 777 zona të mbrojtura me një sipërfaqe të përgjithshme prej 625.551 hektarësh. Zonat e mbrojtura zënë tashmë 21.7% të gjithë territorit të Shqipërisë dhe 36.1% të fondit pyjor dhe kullosor.

Peshën kryesore e mbajnë Parqet Kombëtare. Shqipëria numëron 12 të tilla, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 314 mijë hektarësh. Ato përfaqësojnë pak më shumë se gjysmën, 50.18%, të gjithë sipërfaqes së zonave të mbrojtura.

Kategoria e dytë më e madhe është ajo e Rezervateve Natyrorë të Menaxhuar dhe Parqeve Natyrore, me 28 zona dhe një sipërfaqe prej 217.815 hektarësh. Gjatë 2025-s kjo sipërfaqe u rrit me rreth 430 hektarë krahasuar me një vit më parë dhe përfaqëson 34.82% të totalit të zonave të mbrojtura.

Zgjerim pati edhe kategoria e Peizazheve të Mbrojtura, sipërfaqja e të cilave u rrit nga 81.917 hektarë në 2024 në 82.427 hektarë në 2025, ose me rreth 510 hektarë. Kjo kategori zë 13.2% të sipërfaqes së mbrojtur.

Ndërkohë, në vend numërohen 724 monumente natyrore me një sipërfaqe të përgjithshme prej 85.5 hektarësh, ndërsa dy zona të tjera, me 11.300 hektarë në total, klasifikohen si Zona të Burimeve të Menaxhuara.

Shqipëria nuk ka aktualisht asnjë zonë të shpallur në kategorinë e Rezervateve Strikte Natyrore.

Sipas metodologjisë së INSTAT, statistikat për pyjet dhe biodiversitetin mbështeten në të dhëna administrative vjetore të Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Scroll to Top