Japonia kundër hartës së re të OKB-së për Ishujt Kurile

Japonia ka kërkuar ndryshimin e një harte të re botërore të miratuar nga Kombet e Bashkuara, duke shprehur shqetësimin për paraqitjen e Ishujve Kurile.

Qeveria japoneze ka protestuar zyrtarisht pasi në hartën e re, ishujt në fjalë shfaqen me të njëjtën ngjyrë si territori i Rusisë. Sipas Japonisë, kjo paraqitje krijon një perceptim të gabuar për statusin e tyre.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të premten hartën e re, e cila njihet si projeksioni hartografik “Equal Earth”. Japonia ishte mes 164 vendeve që votuan pro rezolutës, por më pas ngriti shqetësimet e saj lidhur me paraqitjen e Ishujve Kurile, të cilët njihen në Japoni si “Territoret Veriore”.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, deklaroi se harta përmban një paraqitje që bie ndesh me qëndrimin zyrtar të Japonisë. Ai shtoi se Tokio ka paraqitur një protestë zyrtare tek operatori i hartës përmes kanaleve diplomatike, duke kërkuar korrigjimin e saj.

“Duhet të parandalojmë përhapjen e keqkuptimeve lidhur me territoret dhe emërtimet gjeografike,” tha Kihara. Ai nuk specifikoi se kur qeveria japoneze u informua për mënyrën e paraqitjes së ishujve në hartën e re.

Harta e re ka sjellë edhe debate të tjera ndërkombëtare. Ajo paraqet Afrikën në përmasa më të mëdha, ndërsa zvogëlon Evropën dhe Amerikën e Veriut krahasuar me hartat tradicionale. Sipas Kombeve të Bashkuara, qëllimi është të ofrohet një paraqitje më e saktë e përmasave reale të kontinenteve, ndryshe nga projeksioni tradicional Mercator.

Ukraina gjithashtu u përfshi në debat, pasi javën e kaluar abstenoi në votim. Përfaqësuesit ukrainas shprehën shqetësimin se Krimea e pushtuar shfaqej me ngjyrë të ndryshme nga pjesa tjetër e Ukrainës. Ata paralajmëruan se një paraqitje e tillë mund të krijojë probleme në raport me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Scroll to Top