Ministri Malaj: Paguajmë drejtësi, jo konflikt. Ligji në fuqi.

Ministri Petrit Malaj reagon pas kallëzimit në SPAK nga gjyqtarët për bllokimin e pagave: Zbatova ligjin!

Publikuar më 10.09.2026 nga Shek

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, lidhur me mosekzekutimin e pagave të muajit gusht për magjistratët. Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj e konsideron situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, ndërsa thekson se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin.

Malaj ka një mesazh edhe për drejtuesit e Thesarit dhe Sekretarin e Përgjithshëm, të cilët janë paditur gjithashtu, duke u porositur që të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar.

Reagimi i plotë:

Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!

Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë. Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë nga aty, pa vendim të Parlamentit, një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të rishqyrtoj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin, duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta ruajë me siguri historia. Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:

  • Gjyqtar i Shkallës së Parë
    Është: 376,381 Lekë
    Kërkohet: 567,421 Lekë
  • Gjyqtar i Shkallës së Dytë
    Është: 388,927 Lekë
    Kërkohet: 586,335 Lekë
  • Gjyqtar i GJKKO
    Është: 401,473 Lekë
    Kërkohet: 605,350 Lekë

Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu. Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit prej 125 milionë euro.

Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdoni ta kryeni detyrën tuaj me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.

Scroll to Top