Sula: Rama më shkruan natën për problemet

“Më shkruan në orën 12 ose 1 të natës”

Dashnor Sula tregon raportin me kryeministrin Rama, nga kundërshtarë në bashkëpunëtorë.

Publikuar më 10.09.2026 nga Shek.

Kryeinspektori i Shtetit, Dashnor Sula, ka dhënë sot një intervistë për Top Channel, duke folur rreth detyrës së tij. Mes të tjerash, Sula ka prekur edhe temën e raportit që ka me Kryeministrin Edi Rama. Ai ka kujtuar se dikur, kur ishte pjesë e Partisë Demokratike, ata ishin kundërshtarë, ndërsa sot shkëmbejnë dorën.

Sula ka theksuar se ia ka bërë të qartë Kryeministrit se puna e tij do të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe duke respektuar pavarësinë që ligji i garanton. Ai shtoi se komunikimi me Kryeministrin është thuajse i përditshëm, duke treguar se Rama madje i shkruan edhe në orët e vona të natës për problemet që qytetarët i adresojnë.

“Ia kam bërë të qartë Kryeministrit se unë dhe bashkëpunëtorët e mi do të punojmë siç duhet, në respektim të ligjit dhe me korrektesë, duke pasur pavarësinë sipas ligjit. Dhe po ju them se kam komunikim thuajse të përditshëm. Nuk jam nga ata që do të bëj publikisht mesazhet e Kryeministrit, por dua të theksoj mbështetjen që më ka dhënë. Kryeministrit të Shqipërisë i ankohen qytetarët për probleme dhe sigurisht që ai ka informacion për gjithçka. Ai reagon menjëherë, brenda një ore, dhe pret përgjigje se si është zgjidhur problemi, gjë që është shumë pozitive,” tha Sula.

Ai shtoi: “Nuk është turp të them se telefoni im merr vazhdimisht mesazhe. Ai në orën 12 të natës, apo në orën 1 të natës, më shkruan për problemet që i sjellin qytetarët dhe unë e vlerësoj maksimalisht këtë. Edhe unë reagoj menjëherë ndaj qytetarëve dhe u japim zgjidhje çdo problematikeje që ata hasin. Pra, transparenca është shumë e rëndësishme,” përfundoi Sula.

Scroll to Top