Leku forcohet, Euro arrin nivelin më të ulët historik

Euro arrin nivel historik më të ulët, duke kaluar për herë të parë pragun e 92 lekëve.

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka zbritur sot për herë të parë nën nivelin e 92 lekëve, duke shënuar një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një Euro u këmbye sot me 91.94 lekë.

Leku po vazhdon një periudhë të gjatë forcimi, e cila është intensifikuar gjatë vitit 2026. Që nga fillimi i vitit kalendarik, Euro është zhvlerësuar me 5%, ndërsa në bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur në 5.3%.

Ekspertët e tregut valutor theksojnë se sezoni i zgjatur veror ka shtuar ofertën tashmë të bollshme të Euros në tregun valutor, ndërkohë që kërkesa për monedhën europiane mbetet e ulët. Zhvlerësimi i Euros po bën që ajo të zëvendësohet pjesërisht në disa transaksione ekonomike vendase, përfshirë shitjen e pasurive të paluajtshme.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të dukshëm të Bilancit të Pagesave për këtë vit, një faktor që mund të shpjegojë më së miri zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi një rënie prej 361 milionë eurosh, ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky deficiti shënoi nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit është ndikuar kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe remitancat.

Bilanci në tregtinë e shërbimeve rezultoi pozitiv, duke arritur rreth 1.79 miliardë euro, një rritje prej 12.9% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin e shërbimeve erdhi nga turizmi, i cili solli të ardhura neto prej 957 milionë eurosh për ekonominë gjatë gjashtëmujorit të parë, një rritje prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, një efekt shtesë duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë të vitit 2025, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, duke u rritur me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Banka Qendrore me shumë të ngjarë i referohet projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.

Për gjithë gjashtëmujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ajo që po vërehet gjithnjë e më shumë në periudhën pas pandemisë është përqendrimi në rritje i investimeve të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme. Këto flukse valutore po sjellin një zhvlerësim me ritme të përshpejtuar të Euros kundrejt Lekut.

Burimi: BSH

Scroll to Top