“Mjaft me vrasjet”: Mijëra meksikanë dalin në rrugë kundër kartelit Sinaloa
Mijëra njerëz marshuan të dielën në rrugët e shtetit Sinaloa, në veriperëndim të Meksikës, për të protestuar kundër dhunës së shkaktuar nga karteli famëkeq i drogës. Ky kartel është përfshirë prej dy vitesh në një konflikt të përgjakshëm mes fraksioneve rivale, duke lënë pas rreth 3,000 viktima.
Rreth 10,000 protestues, të veshur me të bardha, marshuan në Culiacán, kryeqytetin e shtetit, duke kërkuar fundin e vrasjeve dhe rikthimin e paqes. Protesta erdhi pas një thirrjeje nga Kisha Katolike, aktorët ekonomikë dhe familjet e viktimave.
Në fillim të marshimit, protestuesit lëshuan dhjetëra tullumbace të bardha në qiell dhe më pas u drejtuan drejt katedrales së Culiacán. “Nuk duam më vdekje, më vrasje,” tha Maricela Perez, 62 vjeç, e cila mbante portretin e djalit të saj 36-vjeçar, Miguel, i vrarë në maj.
Kryepeshkopi i Culiacán, Jesús José Herrera, u bëri thirrje autorëve të krimeve të ndalojnë dhunën, duke theksuar se “asnjë rajon dhe asnjë ambicie nuk vlen më shumë se një jetë njerëzore”.
Konflikti brenda kartelit Sinaloa ka shkaktuar të paktën 3,000 viktima gjatë dy viteve të fundit, përfshirë civilë të pafajshëm. Vetëm javën e kaluar, një foshnjë njëvjeçare humbi jetën nga një plumb i humbur gjatë një shkëmbimi zjarri.
“Është e tmerrshme. Ndihemi të braktisur dhe ky marshim është mënyra jonë për të thënë se, pavarësisht gjithë kohës që ka kaluar, ne refuzojmë ta konsiderojmë dhunën si diçka të zakonshme. Ne duam paqe,” tha Marlene Leon, 33 vjeç, një nga protestueset.
Karteli Sinaloa u themelua në vitet 1980 nga Joaquín “El Chapo” Guzmán dhe Ismael “El Mayo” Zambada. Pas arrestimit të “El Chapos” në 2016 dhe ekstradimit të tij në SHBA, ku po vuan dënim të përjetshëm, tensionet mes fraksioneve u intensifikuan. Që prej shtatorit 2024, grupet e lidhura me familjet e “El Chapos” dhe “El Mayos” janë përfshirë në përleshje të vazhdueshme, duke e kthyer Culiacánin në një nga zonat më të rrezikuara të vendit.
Qeveria e presidentes Claudia Sheinbaum ka dislokuar rreth 15,000 ushtarë në Sinaloa dhe ka shtuar masat e konfiskimit të armëve dhe drogës, por këto veprime nuk kanë arritur të ndalojnë valën e dhunës. Të shtunën e kaluar, të paktën shtatë persona u vranë.
Protesta mori edhe një dimension politik, pasi disa demonstrues brohoritën kundër presidente Sheinbaum dhe dogjën një kukull me imazhin e saj. Protestuesit akuzojnë qeverinë për lidhje me ish-guvernatorin e Sinaloas, Rubén Rocha Moya, i cili është përmendur nga autoritetet amerikane për lidhje të dyshuara me kartelet. Uashingtoni ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e tij, por qeveria meksikane ka refuzuar, duke argumentuar mungesën e provave bindëse.
