Shqipëria Përgatitet për Zgjerimin e 5G dhe Rrjeteve me Kapacitet të Lartë, Projekti Pilot
Qeveria shqiptare po përgatit terrenin për zgjerimin e rrjeteve 5G dhe të infrastrukturës me kapacitet shumë të lartë, duke iniciuar një studim teknik dhe projektimin e zbatimin e një projekti pilot 5G.
Në kuadër të programit IPA III “EU for Digital Economy and Society 2024–2027”, Ministria e Financave ka shpallur një garë të hapur për gjetjen e një konsulenti. Vlera e kontratës parashikohet të jetë rreth 1.4 milionë euro.
Një nga komponentët kryesorë të këtij projekti është përgatitja e një studimi mbi përdorimin e 5G në “smart communities”, duke u bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Europian. Krahas studimit, kontraktori do të ketë detyrën të projektojë dhe zbatojë një projekt pilot për të testuar përdorime konkrete të teknologjisë 5G.
Dokumentet e programit të BE-së parashikojnë si një nga skenarët një zgjidhje “5G Smart City” për Tiranën. Kjo teknologji mund të aplikohet për ndriçim dhe parkim inteligjent, monitorimin e trafikut dhe cilësisë së ajrit, si dhe për përmirësimin e shërbimeve në transport publik, arsim dhe shëndetësi, dhe shërbime të tjera publike.
Gara synon gjithashtu të ofrojë një analizë të plotë të kapaciteteve aktuale të rrjeteve broadband në Shqipëri. Konsulenti do të përgatisë metodologjinë për hartëzimin gjeografik të rrjeteve me kapacitet shumë të lartë (VHCN), duke përfshirë fibrën optike dhe 5G, si dhe do të identifikojë kufizimet ekzistuese për zgjerimin e tyre.
Një komponent tjetër i rëndësishëm është përshtatja e kuadrit teknik dhe rregullator shqiptar me kërkesat e BE-së për infrastrukturën gigabit dhe rrjetet e komunikimeve elektronike.
Në praktikë, studimi pritet të përcaktojë:
- Kapacitetet aktuale të rrjeteve broadband.
- Kërkesat teknike dhe rregullatore për zgjerimin e rrjeteve me fibra optike dhe 5G.
- Mënyrën se si përdorimet e teknologjisë mund të testohen përmes një projekti pilot.
Programi më i gjerë “EU for Digital Economy and Society 2024–2027” ka një vlerë të parashikuar prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro financohen nga Bashkimi Europian.
