Tirana Fire Safety 2026: Ekspertë Ndërkombëtarë për Sigurinë nga Zjarri

“Tirana Fire Safety 2026”: Ekspertë ndërkombëtarë mblidhen në Tiranë për sigurinë nga zjarri

Tirana do të kthehet në një qendër të rëndësishme rajonalë për diskutimet mbi sigurinë nga zjarri, ndërtimin dhe arkitekturën bashkëkohore, me organizimin e konferencës dhe ekspozitës ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026”. Ngjarja do të zhvillohet më 17 dhe 18 shtator 2026, në ambientet e Tirana International.

Organizuar nga SFPE Albania, nën drejtimin e presidentit Nikolin Risilia, aktiviteti do të mbledhë ekspertë, inxhinierë, arkitektë, përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë nga Shqipëria, Europa dhe më gjerë.

Fokusi kryesor do të jetë te sfidat që sjell zhvillimi i shpejtë urban, rritja e numrit të ndërtesave të larta dhe nevojat për përshtatjen e standardeve dhe praktikave të sigurisë nga zjarri me realitetin e ri të ndërtimit.

Një nga temat kryesore të konferencës dyditore do të jetë kalimi nga qasjet tradicionale drejt metodave moderne të bazuara në performancë, duke vendosur sigurinë nga zjarri në qendër të procesit të projektimit dhe të vendimmarrjes inxhinierike.

Në këtë kuadër, ekspertë ndërkombëtarë si:

  • Björn Karlsson (Universiteti i Islandës)
  • Luciano Nigro (SFPE Itali dhe Jensen Hughes)
  • Joshua Reichert (SFPE Global)

do të ndajnë përvojën dhe praktikat më të avancuara evropiane dhe globale në fushën e sigurisë nga zjarri.

Një tjetër tematikë e rëndësishme do t’i kushtohet urbanizimit të shpejtë dhe sfidave që paraqesin kullat e larta dhe ndërtesat komplekse multifunksionale. Diskutimet do të trajtojnë mënyrën se si siguria nga zjarri mund të integrohet që në fazat e para të projektimit, pa cenuar vizionin arkitektonik dhe funksionalitetin e ndërtesave.

Në këtë panel do të kontribuojnë:

  • Arkitektë të Studio Gang, përfshirë Rodia Valladares dhe Mark Schendel
  • Ekspertë të ARUP, përfshirë Rory McGowan dhe Ingolfur Sigurjonsson

Ata do të analizojnë marrëdhënien mes arkitekturës, inxhinierisë dhe kërkesave bashkëkohore për sigurinë nga zjarri, bazuar në përvojën e tyre në projekte komplekse ndërkombëtare.

Përveç kumtesave shkencore dhe paneleve të diskutimit, “Tirana Fire Safety 2026” do të shoqërohet edhe nga një ekspozitë teknike. Aty, kompani dhe institucione kërkimore do të prezantojnë teknologjitë dhe zgjidhjet më të fundit në fushën e mbrojtjes nga zjarri. Ekspozita do të përfshijë sisteme të avancuara të shuarjes së zjarrit me bazë uji, teknologji për kontrollin e tymit dhe nxehtësisë, zgjidhje për fasadat dhe materialet e ndërtimit, si dhe teknologji moderne për menaxhimin inteligjent të ndërtesave. Në ekspozitë do të marrin pjesë kompani ndërkombëtare si Elval Colour, Siemens dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të industrisë.

Konferenca synon të shkojë përtej shkëmbimit të njohurive profesionale, duke shërbyer si një platformë konkrete bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare, komunitetit teknik, arkitektëve, inxhinierëve dhe industrisë.

Në kohën kur Tirana dhe qytetet e tjera shqiptare po përjetojnë një transformim të shpejtë urban dhe një rritje të ndërtimeve të larta, “Tirana Fire Safety 2026” synon të nxisë një qasje të re. Kjo qasje thekson se siguria nga zjarri nuk duhet të trajtohet si një kërkesë që shtohet në fund të projektit, por si një parim themelor i projektimit dhe i zhvillimit të qëndrueshëm urban.

Konferenca pritet të kontribuojë në mënyrë të rëndësishme në diskutimin mbi ndërtimin e një sistemi modern, efektiv dhe të harmonizuar të sigurisë nga zjarri në Shqipëri.

Scroll to Top