Nesër mbahet “Marshi për Liri”, Vetëvendosje kërkon falje nga ata që votuan Gjykatën Speciale
Më 11.09.2026
Nesër, në Prishtinë, do të zhvillohet “Marshi për Liri”, një tubim që pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte.
Protesta ka marrë mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Përmes një deklarate për mediat, LVV njofton për pjesëmarrjen e saj dhe thekson qëndrimin kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, thuhet në reagim.
LVV u ka bërë thirrje deputetëve që kanë votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, të distancohen dhe të kërkojnë ndjesë.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, vijon reagimi i LVV.
Marshi ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga personalitete publike, jo vetëm nga politika. Për të lehtësuar pjesëmarrjen, është organizuar transport falas nga disa qytete drejt Prishtinës. Qytetarët pritet të mblidhen në orën 14:00 në sheshin “Skënderbej”. Pritet pjesëmarrje edhe nga Shqipëria.