Begaj viziton Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet nga homologu Al Nahyan
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shënuar kështu udhëtimin e parë të një presidenti shqiptar në këtë shtet.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u prit nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Takimi u përshkrua nga Presidenca si një rast për diskutimin e thellimit të bashkëpunimit në disa sektorë të rëndësishëm mes dy vendeve.
“Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për të avancuar më tej axhendën e bashkëpunimit të fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, si dhe për të shfrytëzuar potencialet reale për zgjerimin e tij në fusha me interes të ndërsjellë,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti Begaj theksoi se marrëdhëniet politike, ekonomike dhe njerëzore midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të forcohen më tej, sidomos pas hapjes së Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë.