Dëgjoj të qara nga dhoma e motrës: 51-vjeçari akuzohet për abuzim seksual ndaj mbesës 8-vjeçare dhe të bijës, dëshmia e nipit zbardh ngjarjen.
Një 51-vjeçar, i akuzuar për abuzim seksual ndaj mbesës së tij 8-vjeçare, është lënë në paraburgim në Korfuz. Vendimi erdhi pas dëshmisë së tij para hetuesit, ku ai ka kërkuar falje për akuzat që rëndojnë mbi të.
Situata u bë edhe më e rëndë pas dëshmisë së nënës 28-vjeçare të vajzës, e cila është njëkohësisht e bija e të akuzuarit. Ajo ka deklaruar para autoriteteve se edhe vetë kishte qenë viktimë e abuzimit nga babai i saj gjatë periudhës 2010-2015, kur familja jetonte në Shqipëri.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, raporti mjekësor i 8-vjeçares konfirmon se ndaj saj është kryer një akt seksual kohët e fundit, brenda disa javëve para ekzaminimit.
Ngjarja u zbulua pasi nëna e çoi vajzën te një gjinekologe më 25 gusht, pas shqetësimeve që kishte vënë re që prej pranverës. Mjekja dyshoi menjëherë për abuzim dhe nuk vijoi me ekzaminimin në mënyrë që të mos ndryshoheshin provat. Ajo njoftoi menjëherë autoritetet dhe kërkoi që fëmija të ekzaminohej nga një mjek ligjor.
Dosja e çështjes iu dorëzua Prokurorisë së Shkallës së Parë të Korfuzit më 9 shtator 2026, ndërsa 51-vjeçari u arrestua të premten e kaluar.
Një dëshmi e rëndësishme për hetimin ka qenë edhe ajo e vëllait 9-vjeçar të vajzës. Fëmija ka treguar se në momentet kur nëna, gjyshja dhe xhaxhai nuk ndodheshin në banesë, 51-vjeçari e mbyllte 8-vjeçaren në dhomën e tij. Sipas dëshmisë së 9-vjeçarit, nga dhoma dëgjoheshin të qarat e motrës së tij, ndërsa 51-vjeçari e kërcënonte edhe atë që të mos tregonte se çfarë po ndodhte.
Familja kishte jetuar për një kohë të gjatë së bashku me 51-vjeçarin, pasi nëna e vajzës, 28 vjeçe, kishte kërkuar të reduktonte shpenzimet e jetesës. Nga dëshmia e saj rezulton gjithashtu se babai i saj kishte vuajtur gjatë periudhës së abuzimit.
