Skandal Vrasje Foshnjash në Britani: Kamera në Spitale

Skandali që tronditi Britaninë: Infermiere u dënua për vrasjen e 7 foshnjave, maternitetet do të pajisen me kamera

Një nga skandalet më të rënda që ka përfshirë sistemin shëndetësor britanik ka ripërtërirë debatin mbi sigurinë e foshnjave në spitale. Pas përfundimit të hetimit për ngjarjet e ndodhura në Spitalin “Countess of Chester”, ku infermierja Lucy Letby u shpall fajtore për vrasjen e shtatë foshnjave dhe për tentativën e vrasjes së shtatë të tjerave, qeveria britanike ka njoftuar vendosjen e pajisjeve monitoruese pranë krevateve të foshnjave në reparte.

Sipas akuzave për të cilat Letby është dënuar, ajo shkaktonte kolaps tek foshnjat duke ndërhyrë në mënyrën e marrjes së oksigjenit. Në disa raste, ajo injektonte ajër në enët e gjakut të foshnjave, duke shkaktuar emboli. Në situata të tjera, ajo përdorte insulinë për të ulur në mënyrë kritike nivelin e sheqerit në gjak të foshnjave, të cilat nuk kishin nevojë për të.

Lucy Letby u shpall fajtore për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për vrasjen e shtatë të tjerave. Aktualisht, ajo po vuan 15 dënime me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi. Në dy raste, asaj i është refuzuar kërkesa për të apeluar dënimet.

Hetimi ka nxjerrë në pah gjithashtu mangësi serioze në menaxhimin e spitalit dhe të sistemit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS). Raporti kritikon ashpër faktin se shqetësimet lidhur me sigurinë e foshnjave nuk u trajtuan me seriozitetin e duhur dhe se drejtuesit që tregonin mungesë efektiviteti shpesh transferoheshin në pozicione të tjera, në vend që të mbaheshin përgjegjës.

Ish-drejtoresha ekzekutive e trustit, Susan Gilby, e përshkroi organizatën si “krejtësisht jofunksionale” dhe u shpreh se kur mori detyrën në vitin 2018, kishte frikë se disa nga vdekjet mund të ishin shmangur. Sipas saj, siguria e pacientëve duhet të ishte pyetja parësore në çdo vendimmarrje, por në atë periudhë kjo pyetje nuk ishte aktuale.

Edhe Shoqata Mjekësore Britanike ka kërkuar reforma thelbësore në NHS, duke theksuar nevojën për mbrojtje më të fortë për mjekët dhe punonjësit që denoncojnë problemet e sigurisë.

Scroll to Top