Alarm në Poloni pas sulmit rus pranë kufirit

Sulmi masiv rus pranë kufirit ngre në këmbë Poloninë: avionë luftarakë, sirena dhe alarm në disa rajone

Një sulm ajror i ndërmarrë nga Rusia në Ukrainën perëndimore, vetëm pak kilometra larg kufirit polak, ka vënë në alarm të kuq autoritetet dhe forcat e armatosura të Polonisë.

Pas goditjeve masive dhe shpërthimeve të fuqishme pranë zonës kufitare të Yahodyn-it, Varshava zyrtare aktivizoi menjëherë aviacionin ushtarak, pezulloi fluturimet civile në dy aeroporte dhe lëshoi alarme për sulm ajror te popullsia civile.

Sipas Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura të Polonisë, ngritja në ajër e avionëve luftarakë ishte një masë e menjëhershme parandaluese kundër përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot dhe raketave nga Rusia pranë kufirit polak.

Në mesditë, banorët e provincave të Lublinit dhe Podkarpackies morën mesazhe urgjente SMS nga Qendra e Sigurisë Qeveritare ku paralajmëroheshin:

  • “KUJDES! Kërcënim për sulm ajror. Gjeni një vend të sigurt dhe ndiqni udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.”

Paralelisht, sirenave të alarmit u aktivizuan në qytetet Lublin dhe Rzeszów, ndërsa Agjencia e Navigimit Ajror (PANSA) pezulloi përkohësisht operacionet në aeroportet e këtyre dy qyteteve për t’i dhënë përparësi operacioneve ushtarake.

Alarmi u shfuqizua rreth orës 12:50 pasi zyrtarët konfirmuan se nuk pati shkelje të hapësirës ajrore polake.

Kryeministri polak Donald Tusk, gjatë një konference për shtyp pas takimit me kancelarin austriak Christian Stocker, e cilësoi sulmin rus si “masiv dhe jashtëzakonisht brutal”. Tusk konfirmoi se goditja ndodhi ngjitur me kufirin polak, ku u godit një stacion karburanti duke shkaktuar shpërthim shumë të fuqishëm.

Gjithashtu, Tusk vuri në dukje se ky përshkallëzim ajror përkon me 17 shtatorin — datën historike që shënon përvjetorin e pushtimit të Polonisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1939 — duke e quajtur atë një kujtesë dramatike për sfidat e sotme të sigurisë.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz deklaroi përmes një reagimi se Rusia po tregon se nuk heq dorë nga agjenda agresive, duke konfirmuar se Polonia ka rritur praninë e helikopterëve dhe avionëve F-16 si dhe po forcon sistemet e mbrojtjes ajrore dhe reagimit të shpejtë përgjatë gjithë zonës kufitare.

Scroll to Top