“`html
Ibrahimaj: Çmimet e ushqimeve mbi mesataren e rajonit, forcimi i lekut duhet të kishte sjellë ulje
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve, informoi se vijon puna për finalizimin e nismës “Pasqyra e Çmimeve”. Ky projekt synon të krijojë transparencë dhe të ofrojë informacion mbi nivelin e çmimeve të produkteve në vend.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se çmimet e produkteve ushqimore në Shqipëri janë mbi mesataren e vendeve të rajonit. Ajo foli gjithashtu për ndikimin e zhvlerësimit të euros dhe forcimit të lekut mbi çmimet e shportës ushqimore, sidomos për mallrat e importuara.
“Në vitet e fundit, të gjithë kemi parë dhe diskutuar dukuri që duhet të kishin ndikuar në uljen e çmimeve. Për shembull, forcimi i lekut duhet të kishte sjellë domosdoshmërisht një reduktim të çmimeve, duke qenë se minimalisht 40% e produkteve të shportës janë të importuara. Kjo do të thotë që për ne, konsumatorët shqiptarë, me një lek më të fortë, këto produkte duhet të ishin më të lira. Besoj se ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, duhet të analizojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten. Pse këto zhvillime pozitive nuk reflektohen te konsumatorët?”
Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, ministrja theksoi se inflacioni i importuar ka qenë në rënie, duke sugjeruar se produktet vendase janë ato që po shtrenjtohen. Ajo ngriti pyetjen se kush është shkaku i këtij fenomeni.
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se qëllimi i nismës “Pasqyra e Çmimeve” është të sjellë transparencë, analizë dhe monitorim. Ajo shtoi se procesi filloi me thirrjen e rrjeteve kryesore të supermarketeve për të ofruar listën e produkteve më të shitura, duke përfshirë ushqime dhe produkte higjiene. Kërkesa ishte gjithashtu për të pasur një listë çmimesh për produktet vendase dhe ato të importuara, me qëllim që të dy kategoritë të bëheshin transparente dhe të analizoheshin.
Sipas ministres, iu dha kohë e mjaftueshme supermarketeve për të përgatitur këto lista, por vetëm një prej tyre u përgjigj. Ajo theksoi se kjo nismë, e cila stimulon konkurrencën dhe është zbatuar me sukses në vende të tjera si Greqia, Italia, Spanja, Portugalia dhe Hungaria, nuk solli përgjigje nga shumica e subjekteve.
Në takime të tjera, me një numër më të kufizuar marketesh, u diskutua edhe një nismë tjetër, e frymëzuar nga modeli grek, për të përcaktuar një listë produktesh me vlerë të ulët, të destinuara për shtresat në nevojë. Supermarketet do të angazhoheshin t’i shisnin këto produkte me fitim minimal ose zero, duke fiksuar çmimet deri në fund të vitit. Përsëri, vetëm një subjekt pranoi dhe dorëzoi listën e dytë.
“Besoj se të gjithë jemi për një qëllim të përbashkët. Përveç qëllimit të fitimit, kompanitë duhet patjetër të mendojnë edhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe për të mirën publike, sidomos në kushte kur kemi çmime të rritura dhe mbi mesataren e rajonit,” përfundoi ajo.
“`
