Manual i Ri për Vlerësimin e Automjeteve në Doganë

Manuali i Ri: Procedura e Vlerësimit në Zhdoganimin e Automjeteve

Administrata Doganore Shqiptare informon për një manual të ri, i cili ka si qëllim kryesor përcaktimin sa më real dhe të drejtë të vlerës së automjeteve të prodhuara brenda 10 viteve të fundit. Ky manual zbatohet vetëm në rastet kur nuk plotësohen kushtet për vlerësimin e tyre sipas metodës së transaksionit, siç parashikohet në nenet 66–69 të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.

Vetëm në këto situata specifike, Administrata Doganore do t’i referohet çmimeve reale të publikuara online në burime dhe buletine të specializuara. Adresat e këtyre burimeve janë përcaktuar brenda manualit.

Një risi e rëndësishme e këtij manuali është përfshirja, krahas të dhënave teknike të konsideruara deri më tani, edhe e numrit të kilometrave të përshkuara nga automjeti deri në momentin e zhdoganimit. Ky element është thelbësor, pasi ndikon drejtpërdrejt në vlerën reale të mjetit.

Të dhënat e marra nga burimet e përmendura përdoren për të mbështetur analizën dhe dokumentimin e rastit vetëm kur metodat e tjera të vlerësimit, sipas rendit të përcaktuar nga 1 në 5, nuk mund të zbatohen.

Manualit të ri nuk sjell ndryshime në mënyrën e vlerësimit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet, të prodhuara para vitit aktual. Qëllimi i hyrjes në fuqi të këtij manuali nuk është rritja e të ardhurave nga zhdoganimi, por përcaktimi i vlerës së automjeteve në mënyrë sa më të drejtë, objektive dhe të mbështetur në të dhëna reale.

Në rastet kur nuk plotësohen kushtet për vlerësimin sipas metodës së transaksionit dhe metodave të tjera të renditura nga 1 në 5, zbatimi i manualit të ri synon një shpërndarje më të drejtë të detyrimeve. Kjo arrihet duke marrë parasysh diferencat në kilometrat e përshkuara për të njëjtën kategori automjetesh, me të njëjtën markë, vit prodhimi, cilindratë dhe lloj karburanti. Në këtë mënyrë, vlerësimi doganor do të reflektojë sa më saktë karakteristikat dhe gjendjen konkrete të automjetit në momentin e zhdoganimit.

Scroll to Top