Ulje Taksa Ushqime: Ministri Malaj Shqyrton Mundësi

Çmimet e larta të ushqimeve, Ministri Malaj: Po identifikojmë hapësirat për ulje taksash

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar se qeveria po shqyrton mundësitë për rishikimin e taksave mbi produktet ushqimore, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët.

Gjatë një takimi me drejtues të supermarketeve, Ministri Malaj theksoi nevojën për një analizë të hollësishme të marzheve të fitimit përgjatë gjithë zinxhirit të formimit të çmimit, duke filluar nga prodhimi apo importi deri te konsumatori përfundimtar.

Ai shtoi se një analizë e tillë do t’i mundësojë Ministrisë së Financave të kuptojë më mirë strukturën e çmimeve dhe të identifikojë fushat ku mund të ndërhyhet me anë të politikave fiskale.

“Në lidhje me çështjet që kemi diskutuar dhe rëndësinë e transparencës së çmimeve, Ministria e Financave po kryen një analizë për të kuptuar marzhet e fitimit të aplikuara në të gjithë zinxhirin e formimit të çmimit, nga prodhimi apo importi deri te konsumatori final. Kjo është e rëndësishme për ne pasi na lejon të kuptojmë ku mund të ndërhyjmë me politikat tona fiskale për të lehtësuar barrën e konsumatorëve. Gjithashtu, duam të identifikojmë sektorët kryesorë që formojnë zinxhirin e çmimit dhe marzhet që ata aplikojnë, si dhe të vlerësojmë nëse këto marzhe janë abuzive apo reflektojnë realitetin e tregut. Kjo analizë na jep një informacion më të thelluar dhe më të qartë mbi mënyrën e formimit të çmimit,” tha Ministri Malaj.

Ai gjithashtu përsëriti shqetësimin për mungesën e reflektimit të zhvlerësimit të euros në çmimet e produkteve.

“Ka një fenomen që u përmend edhe më parë, zhvlerësimi i euros. Pavarësisht se të ardhurat në buxhet nga importet bien, siç rezulton nga të dhënat për 7-mujorin e parë me rreth 50 milionë euro mungesë, ky zhvlerësim nuk është përkthyer në çmime më të ulëta. Përkundrazi, sipas analizave të Ministrisë së Ekonomisë, çmimet mesatare të produkteve bazike janë më të lartat në rajon. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ju të përfshiheni në këtë proces vullnetarisht. Në të kundërt, qeveria do të jetë e detyruar të ndërmarrë hapa për të analizuar çmimet pranë subjekteve ekonomike. Ne do ta kryejmë këtë analizë të marzheve, sepse është thelbësore, sidomos në situatën aktuale, për të përcaktuar politikat fiskale që do të lehtësojnë sa më shumë barrën e konsumatorëve të prekur nga çmimet e rritura,” përfundoi Ministri Malaj.

Scroll to Top