PISA 2025: Rezultatet e Shqipërisë dhe sfidat e leximit

Kush do na lexojë?

Këtë javë, Shqipëria mori një lajm për t’u “përgëzuar”. Në PISA 2025, nxënësit 15-vjeçarë shqiptarë shënuan 433 pikë në matematikë dhe 435 në shkencë, duke u renditur më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në matematikë dhe në krye, së bashku me Malin e Zi, në shkencë.

Pas rënies së fortë të vitit 2022, kur rezultatet në matematikë kishin zbritur në 368 pikë, ky rikthim natyrisht meritonte vëmendje. Dhe vëmendjen e mori. Ministria e Arsimit u përqendrua kryesisht te matematika dhe shkenca, dy fushat ku rezultatet dukeshin më inkurajuese. Leximi, si nxënësi në fund të klasës që gjithmonë heziton të ngrejë dorën, mbeti disi në hije. Ndoshta sepse aty, surprizat e mira janë më pak.

Në lexim, Shqipëria mori 408 pikë, kundrejt mesatares prej 461 pikësh të OECD-së. Hendeku është 53 pikë, më i madh se në matematikë dhe shkencë. Vetëm gjysma e nxënësve shqiptarë arrijnë të paktën nivelin bazë të zotësisë në lexim, krahasuar me 69% në OECD, ndërsa pothuajse askush nuk arrin nivelet më të larta. Edhe në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi me 418 pikë dhe Serbia me 415 na e kalojnë; pas nesh mbeten Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Megjithatë, edhe një “dëftesë” e mirë duhet lexuar deri në fund. Dhe pikërisht këtu, leximi bëhet i rëndësishëm. OECD paralajmëron se rezultatet e Shqipërisë duhen interpretuar me kujdes. Shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm për PISA nuk morën pjesë dhe pjesëmarrja e shkollave ishte vetëm 76%. Organizata vëren se shkollat e përjashtuara kanë gjasa të jenë më shumë rurale dhe me kushte më të pafavorshme socio-ekonomike. Për këtë arsye, Shqipëria është përfshirë në kategorinë e vendeve me raportim të kufizuar dhe OECD nuk publikon për të krahasimin zyrtar të tendencës.

Pra, mund të gëzohemi. Vetëm se, ndryshe nga leximi, matematika është një shkencë më ekzakte dhe është e vështirë ta manipulosh, siç e tregoi qartë edhe shenja e vënë nga OECD (*) për rezultatin e Shqipërisë.

Duke iu rikthyer leximit, tendenca është globale. PISA 2025 regjistroi nivelin më të ulët të leximit të matur ndonjëherë mesatarisht në OECD. Rezultati ra me 14 pikë vetëm nga viti 2022 në 2025 dhe me 28 pikë që nga viti 2015, afërsisht sa një vit e gjysmë shkollimi.

OECD vëren një rritje të “leximit të nxituar”, me nxënës që kalojnë tekstin shpejt dhe japin përgjigje të shpejta, por të gabuara. Arsyet nuk janë shumë misterioze. Jetojmë me ekranin në dorë, kalojmë nga një video te tjetra, nga një titull te një njoftim, nga një postim te një tjetër. OECD gjen se koha më e gjatë në rrjetet sociale dhe leximi më i pakët për kënaqësi kanë ecur paralelisht me dobësimin e rezultateve.

Edhe Inteligjenca Artificiale (IA) po hyn fuqishëm në këtë ekuacion. IA mund të na japë përgjigjen pa na detyruar të bëjmë rrugën e lodhshme për ta kuptuar vetë.

Në Shqipëri, këtë nuk na duhet ta tregojë vetëm PISA. Në “Monitor” shohim shpesh edhe anën tjetër të procesit: vështirësinë për të shkruar shqip, qartë dhe saktë. Kjo nuk duket se lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë së informacionit. Rrënjët janë më të thella, pasi vetë mësimi i gjuhës shqipe ka qenë i kufizuar deri në përfundimin e shkollës 8-vjeçare ose 9-vjeçare.

Më së shumti, defektin e njohjes së gjuhës shqipe na e zbulon germa “ë” që mungon kur duhet dhe shtohet kur nuk duhet. Gjuha e ka humbur identitetin, fjalori është gjithnjë e më i varfër dhe shqipja përzihet pa kriter me anglishten.

Studime mbi gjuhën e të rinjve kanë evidentuar prej vitesh gabimet e shumta drejtshkrimore, shkurtimin e fjalëve dhe krijimin e një “kodi të përzier” në komunikimin online.

Dhe, që të mos ia lëmë gjithë barrën brezit 15-vjeçar, ndonjëherë mjafton të ndezësh televizorin kur transmetohet Kuvendi. Aty, testi i artikulimit zhvillohet drejtpërdrejt, pa formularë të OECD-së dhe pa kampion statistikor. Deputetë të rinj e të vjetër shpesh janë bërë meme për gjuhën e përdorur dhe shtrembërimin e fjalëve.

E gjitha kjo do të ishte vetëm një debat për arsimin, sikur gjuha të ishte thjesht një lëndë shkollore. Por gjuha është shumë më tepër. Është mënyra se si një shoqëri ruan kujtesën, kulturën dhe identitetin e vet kombëtar. Dhe është mjeti me të cilin mendon, arsyeton dhe më pas reagon.

Për ne në media, pyetja është edhe më tokësore: kush do na lexojë? Sot pjesa kryesore e audiencës së “Monitor” është 30-50 vjeç. Po pas dhjetë apo njëzet vjetësh? Ditë të këqija na presin ne gazetarëve. Ne do të vazhdojmë të shkruajmë, por mund të vijë dita që askush të mos na kuptojë. Jo se nuk dimë të shkruajmë. Po se nuk dinë të lexojnë.

Scroll to Top