Macron pas takimit me Trump: Fokusi i bisedimeve te Deti i Kuq dhe mbështetja për Ukrainën
Presidenti francez Emmanuel Macron i ka cilësuar si “shumë konstruktive” bisedimet me homologun amerikan Donald Trump në Nju Jork. Në fokus të bisedimeve ishin situata e sigurisë në Detin e Kuq dhe lufta në Ukrainë.
Takimi u zhvillua të hënën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku dy liderët diskutuan zhvillimet e fundit në disa prej rajoneve më të tensionuara të botës dhe hapat e mundshëm për forcimin e sigurisë.
Pas takimit, Macron tha se është diskutuar për krijimin e kushteve më të mira të sigurisë për objektet që lidhen me eksportet e naftës në rajonin e Detit të Kuq. Ky rajon është përballur me tensione të shtuara për shkak të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj transportit detar dhe infrastrukturës energjetike.
Në bisedën mes dy presidentëve është diskutuar gjithashtu edhe situata në Ukrainë. Macron tha se është folur për nevojën e një mbështetjeje më të shpejtë dhe më të fortë për Kievin. Sipas presidentit francez, vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për t’u siguruar Ukrainës “raketa interceptuese”, me qëllim forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit dhe përballimin e sulmeve ajrore.
