Ulje çmimi naftës dhe benzinës në Shqipëri

Bordi ul lehtë çmimin e naftës

Çmimet e karburantit kanë shënuar një ulje të lehtë gjatë ditës së sotme. Bordi i Transparencës, në mbledhjen e fundit, ka ulur çmimin e naftës në 213 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, benzina është ulur në 193 lekë për litër, nga 195 lekë që ishte më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, duke u mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të neneve 21/3 dhe 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 03.04.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e dytë.

Kështu, Bordi i Transparencës, në datë 22 Shtator 2026, vendosi këto çmime:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 22, në orën 12:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërhiqet vëmendja e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe të ruajnë parimet e konkurrencës së ndershme në treg.

Scroll to Top