Kallas u bën thirrje vendeve të BE-së: Mbani në fuqi sanksionet ndaj Rusisë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të ruajnë politikën e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa në Bruksel vijojnë diskutimet për të ardhmen e masave ndëshkuese ndaj Moskës.
Gjatë një konference për shtyp në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kallas theksoi se sanksionet mbeten një prej mjeteve kryesore të BE-së për të ushtruar presion ndaj Rusisë me synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ajo konfirmoi se disa shtete anëtare kanë kërkuar heqjen e disa individëve nga lista e sanksioneve dhe se për këtë çështje po zhvillohen aktualisht negociata.
“Ne padyshim kemi nevojë për stabilitet,” deklaroi Kallas, duke theksuar se masat ekzistuese duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi.
Në të njëjtën kohë, shefja e diplomacisë evropiane bëri të ditur se BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë.
Diskutimet për sanksionet vijnë në një kohë kur vendet e BE-së po përpiqen të ruajnë një qëndrim të përbashkët ndaj Moskës, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe presioni diplomatik për një zgjidhje mbetet i lartë.
