Projektligji i ri krijon hapësirën e posaçme ligjore për emetimin e obligacioneve të mbuluara
Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për emetimin e obligacioneve të mbuluara dhe mbikëqyrjen e tyre”. Ky projektligj, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), synon të krijojë një regjim ligjor të veçantë, të plotë dhe të harmonizuar për procesin e emetimit, funksionimit, administrimit dhe mbikëqyrjes publike të obligacioneve të mbuluara.
Obligacionet e mbuluara janë instrumente të borxhit të emetuara nga institucionet kreditore, të cilat janë të siguruara me një grup të veçantë aktivesh me cilësi të lartë. Investitorët në këto obligacione kanë të drejtë përparësie ndaj këtyre aktiveve, përveç pretendimit të tyre drejtpërdrejt ndaj institucionit kreditor emetues.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji krijon bazën ligjore për përdorimin e obligacioneve të mbuluara si mjet financiar afatgjatë për institucionet kreditore. Ai siguron që emetimi të mbështetet në aktive të pranueshme, të identifikueshme, të vlerësuara dhe të veçuara nga aktivet e tjera të emetuesit.
Projektligji vendos një sistem të integruar mbrojtjeje, i cili përfshin:
- Mbrojtjen e dyfishtë të investitorëve.
- Veçimin e grupit të mbulimit nga masa e likuidimit.
- Ndalimin e përshpejtimit automatik të pagesave.
- Kërkesa për mbulim dhe mbikolateralizim.
- Rezervën e likuiditetit.
- Monitorimin e pavarur të grupit të mbulimit.
- Mbikëqyrjen publike të programit.
Projektligji rregullon në mënyrë të strukturuar kushtet për emetimin dhe miratimin e programeve të obligacioneve të mbuluara nga institucionet kreditore të vendosura në Shqipëri. Ai përcakton karakteristikat strukturore të obligacioneve, duke përfshirë mbrojtjen e dyfishtë, veçimin nga procedurat e falimentimit, aktivet e pranueshme, përbërjen e grupit të mbulimit, kontratat derivative dhe financimin e përbashkët.
Gjithashtu, projektligji përcakton kërkesat sasiore dhe cilësore për mbulimin e detyrimeve, mbikolateralizimin minimal, përputhjen e flukseve monetare, rezervën 180-ditore të likuiditetit dhe zgjatjen e maturimit. Ai adreson regjistrin e grupit të mbulimit, monitoruesin e pavarur, administrimin e rreziqeve, testet e qëndrueshmërisë dhe raportimin periodik për investitorët.
Projektligji sqaron kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe të Bankës së Shqipërisë për miratimin, mbikëqyrjen, raportimin, kontrollin dhe marrjen e masave. Ai përfshin gjithashtu rregulla të veçanta për vazhdimësinë e programit në rast paaftësie paguese, ndërhyrjeje të jashtëzakonshme ose likuidimi të detyruar të emetuesit, duke përfshirë caktimin dhe detyrat e administratorit të posaçëm.
Për më tepër, projektligji përcakton masa mbikëqyrëse, sanksione administrative, publikimin e vendimeve dhe përdorimin e termave specifikë si “obligacion i mbuluar”, “obligacion evropian i mbuluar” dhe “obligacion evropian i mbuluar (Premium)”.
Objektivat kryesore të projektligjit, sipas relacionit, janë:
- Krijimi i një kuadri ligjor të qartë dhe të zbatueshëm për emetimin e obligacioneve të mbuluara, të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
- Garantimi i një niveli të lartë mbrojtjeje për investitorët, duke përfshirë mbrojtjen e dyfishtë, veçimin juridik të aktiveve të mbulimit dhe vazhdimësinë e pagesave edhe në rast paaftësie paguese ose ndërhyrjeje të jashtëzakonshme ndaj emetuesit.
- Sigurimi që obligacionet e mbuluara të jenë gjithmonë të garantuara me aktive të pranueshme, të cilësisë së lartë, të vlerësuara me kujdes dhe të dokumentuara në një regjistër të posaçëm.
- Vendosja e kërkesave të matshme për mbulimin e principalit, interesit, detyrimeve nga kontratat derivative dhe kostove të administrimit, duke përfshirë mbikolateralizimin minimal ligjor prej 5%.
- Reduktimi i rrezikut të likuiditetit përmes detyrimit për një rezervë të grupit të mbulimit që përballon daljen maksimale kumulative neto të likuiditetit për 180 ditët pasuese.
- Krijimi i procedurave transparente dhe të parashikueshme për opinionin paraprak të Bankës së Shqipërisë dhe miratimin e programit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
- Forcimi i administrimit të rreziqeve të programit, duke përfshirë rrezikun e kredisë, tregut, normës së interesit, kursit të këmbimit, operativ dhe likuiditetit, si dhe kryerjen periodike të testeve të qëndrueshmërisë.
- Sigurimi i transparencës së vazhdueshme për investitorët mbi përbërjen dhe cilësinë e grupit të mbulimit, nivelin e mbulimit, strukturën e maturimit dhe rreziqet e programit.
- Diversifikimi i burimeve të financimit afatgjatë të institucioneve kreditore dhe krijimi i kushteve për kanalizimin e kursimeve drejt financimit hipotekor, sektorit publik dhe ekonomisë reale.
- Rritja e besimit të investitorëve, integriteti i tregut dhe gatishmëria e infrastrukturës shqiptare për integrimin me mekanizmat evropianë, duke përfshirë Pikën e Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP).