Putin ftohet në G20 Miami; Diskutime për armëpushim

Trump fton Putinin në samitin e G20-së

Pas shtatë vjetësh mungesë, Vladimir Putin mund të marrë pjesë sërish personalisht në një samit të G20-së. Ministri i Jashtëm amerikan, Marco Rubio, e ka ftuar atë në samitin e G20-së që do të mbahet në Miami.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vazhdojnë përpjekjet për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Marco Rubio, qeveria amerikane e ka ftuar presidentin rus në samitin e G20, i cili do të zhvillohet në dhjetor në Miami. Rubio e arsyetoi këtë vendim para gazetarëve në Nju-Jork, duke theksuar se nëse dëshirojmë të zgjidhim probleme, duhet të takohemi edhe me njerëz me të cilët nuk jemi dakord. Ai shtoi se pjesëmarrja e Putinit në samitin e G20 në Miami do të ishte një mundësi e mirë që ai të bisedonte jo vetëm me presidentin amerikan Donald Trump, por edhe me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish.

Pamje nga takimi i delegacionit rus dhe amerikan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. (Fotografi: Yuki Iwamura/AP Photo/dpa/picture alliance)

Armëpushim, apo jo?

Rubio u shpreh optimist se mund të ketë një armëpushim. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ai tha se Ukraina dhe Rusia janë të interesuara për një armëpushim të kufizuar. Sipas Rubios, të dyja palët kanë sinjalizuar interes për një marrëveshje që mund të përfshijë ndalimin e sulmeve ndaj transporteve të drithërave dhe objekteve energjetike. Ai theksoi se arritja e një marrëveshjeje të pjesshme në këtë konflikt nuk është e lehtë, por se përpjekja ia vlen edhe nëse ajo nuk i jep fund plotësisht luftës.

Megjithatë, pak më vonë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai hodhi poshtë sërish çdo ide për armëpushim. Sipas tij, një pauzë të tillë e dëshiron vetëm Evropa, në mënyrë që gjatë kësaj kohe ta furnizojë Ukrainën me më shumë armë. (Fotografi: Alexander Shcherbak/ZUMA/IMAGO)

Lavrovi deklaroi se Moska, ashtu siç ka thënë edhe presidenti Vladimir Putin, po kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit.

Ukraina e gatshme për armëpushime të pjesshme

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, theksoi në kundërpërgjigjen e tij se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, pa kushte, me kusht që edhe Moska ta respektojë atë. Ai shtoi se Ukraina është gjithashtu e gatshme për armëpushime të pjesshme, që do të përfshinin ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike ose ndaj eksporteve të drithërave.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se nuk dëshiron paqe.

SHBA-ja po përpiqet prej kohësh të arrijë një fund të luftës së agresionit rus, e cila vazhdon prej më shumë se katër vjet e gjysmë. Megjithatë deri tani raundet e bisedimeve nuk kanë sjellë ndonjë përparim vendimtar.

Scroll to Top