Industria Shqiptare 2025: Ushqimi luan, nafta e kromi bien

Ushqimet mbajnë gjallë industrinë, nafta dhe kromi në rënie gjatë 2025

Industria shqiptare shënoi rritje në prodhimin e disa prej produkteve kryesore gjatë vitit 2025. Megjithatë, rezultatet e Anketës së Produkteve Industriale (PRODCOM) të INSTAT tregojnë një tablo të ndryshme për vlerën e shitjeve, veçanërisht në sektorët nxjerrës.

Rritja e prodhimit të çimentos, betonit, kabllove elektrike dhe produkteve ushqimore u shoqërua me një rënie të ndjeshme të vlerës së shitjeve të naftës bruto dhe xeherorëve të kromit.

Prodhimi i çimentos Portland arriti në 1.99 milionë tonë në vitin 2025, duke u rritur me 2.5% krahasuar me një vit më parë. Edhe prodhimi i betonit të gatshëm u zgjerua me 3.5%, në 1.77 milionë tonë. Një tjetër industri me rritje të dukshme ishte ajo e sistemeve të fijeve elektrike të izoluara për automjete, prodhimi i të cilave arriti në rreth 263 milionë copë, 8.7% më shumë se në vitin 2024.

Rritje të konsiderueshme u regjistrua edhe në industrinë ushqimore:

  • Prodhimi i bukës së freskët arriti në 67.2 mijë tonë, me një rritje prej 8.4%.
  • Prodhimi i sallameve dhe produkteve të ngjashme me mish u rrit në 13.3 mijë tonë.
  • Prodhimi i ujit mineral dhe ujit të gazuar u zgjerua gjithashtu, nga 4.98 milionë hektolitra në vitin 2024 në 5.09 milionë hektolitra në vitin 2025.

Megjithatë, rritja e prodhimit fizik nuk është përkthyer në mënyrë të njëtrajtshme në rritje të vlerës së shitjeve. Rasti më i dukshëm është nafta bruto. Prodhimi ra në 634.3 mijë tonë në 2025, ndërsa vlera e shitjeve u tkurr nga 29.9 miliardë lekë në 22.6 miliardë lekë. Në terma vjetorë, kjo përfaqëson një rënie prej 24.3% të vlerës së shitjeve.

Të njëjtin drejtim mori edhe industria e kromit. Prodhimi i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit zbriti nga 588 mijë tonë në 502.8 mijë tonë në 2025, ndërsa vlera e shitjeve ra nga 14.9 miliardë në 11.35 miliardë lekë, ose 23.9% më pak se një vit më parë.

Në krahun tjetër, disa produkte të industrisë përpunuese dhe të ndërtimit kanë shënuar rritje të vlerës së shitjeve. Rritja më e madhe ndër produktet kryesore është regjistruar për llaçin e prodhuar në fabrikë, me 19.5%, dhe aluminin e lidhur të papërpunuar, me 15.4%. Shitjet e ujit mineral dhe ujit të gazuar u rritën me 8%, ndërsa ato të bukës së freskët me 11.1%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se struktura e industrisë shqiptare po mbështetet gjithnjë e më shumë te aktivitetet përpunuese. Prodhimi i produkteve ushqimore përbën 16.4% të vlerës totale të shitjeve të produkteve industriale, duke zënë peshën më të madhe ndër aktivitetet industriale. Pas tij renditet prodhimi i produkteve minerare jo metalike me 14.4%, ndërsa metalurgjia zë 8.4%.

Në vlerë absolute, nafta bruto vijon të jetë ndër produktet me vlerën më të madhe të shitjeve, me 22.65 miliardë lekë në vitin 2025, por distanca me produktet e tjera është ngushtuar për shkak të rënies së saj. Çimentoja Portland gjeneroi 19.37 miliardë lekë shitje, betoni i gatshëm 13.67 miliardë lekë, ndërsa xeherorët dhe koncentratet e kromit 11.35 miliardë lekë. Sistemet e fijeve elektrike për automjete arritën në 9.55 miliardë lekë, ndërsa uji mineral dhe i gazuar në 8.96 miliardë lekë.

Scroll to Top