Ndryshojnë 1/5 e Procedurave Penale, Rama: Jo arrest me burg për veprat me dënim deri në 5 vite
Qeveria ka propozuar një paketë të re ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e cila synon të kufizojë përdorimin e paraburgimit dhe të forcojë garancitë për të drejtat e personave në proces penal. Kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri, kohëzgjatja mesatare e paraburgimit arrin në 253 ditë, duke tejkaluar 8 muaj, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Europian është rreth 155 ditë.
Diferenca bëhet edhe më e theksuar në rastet që shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme, ku procedurat mund të zgjasin deri në 616 ditë (më shumë se 1 vit e 8 muaj), krahasuar me një mesatare prej rreth 5 muajsh në vendet e BE-së.
Kryeministri Rama theksoi edhe të dhëna lidhur me aksesin e të paraburgosurve te mbrojtja ligjore. Ai përmendi një studim të OSBE-së nga viti 2006, i cili konstatoi se rreth 41% e të paraburgosurve nuk kishin takuar avokatin e tyre para seancës ku u vendos heqja e lirisë, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm në seancën e marrjes në pyetje nga Prokuroria të klientëve të tyre.
Sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet të jetë masa e fundit, ndërsa në Shqipëri është konsideruar si qendra e gravitetit të procesit penal. Një tjetër problem i evidentuar është përdorimi i kërkesave për paraburgim në Shqipëri bazuar në formula të gatshme të prokurorit, pa një analizë të mjaftueshme të profilit dhe rrethanave individuale të personit.
Paketa e re synon të adresojë këto probleme, duke afruar praktikën shqiptare me standardet evropiane dhe kërkesat që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndryshimet konsiderohen si një përgjigje konkrete ndaj problemeve që prekin drejtpërdrejt të drejtat e njeriut dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Paketa parashikon ndërhyrje të rëndësishme në Kodin e Procedurës Penale, duke prekur rreth 1/5 e dispozitave të tij. Ajo paraqitet si një arkitekturë koherente, e cila ngrihet mbi parimin se çdo ushtrim i pushtetit penal duhet të ketë një bazë të qartë në ligj, të jetë prepozicional me qëllim dhe të prodhojë pasoja juridike kur tejkalon kufijtë.
Kryeministri Rama sqaroi se procedurat e reja parashikojnë kufizimin e masave shtrënguese, sidomos për veprat penale me dënime më të ulëta. Për veprat penale me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Ndërsa për veprat penale me dënim maksimal deri në 5 vjet, nuk do të aplikohet më masa e arrestit me burg.
