Manual i ri për Vlerësimin Doganor
Administrata Doganore Shqiptare ka përgatitur “Manualin e Vlerësimit Doganor”, një udhëzues praktik i destinuar të lehtësojë zbatimin e saktë dhe të njëtrajtshëm të legjislacionit për përcaktimin e vlerës së mallrave për qëllime doganore.
Vlerësimi doganor është një nga shtyllat kryesore të procedurave doganore. Përcaktimi i saktë i vlerës së mallrave është i lidhur drejtpërdrejt me zbatimin korrekt të detyrimeve doganore dhe me trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Për këtë arsye, manuali ka për qëllim të ofrojë një qasje të unifikuar dhe të qartë për zbatimin e rregullave në praktikën e përditshme doganore.
Manuali përmban në mënyrë të strukturuar kuadrin ligjor, metodat e vlerësimit doganor dhe trajtimin e çështjeve të hasura në praktikë. Këto janë shoqëruar me shpjegime, shembuj konkretë, lista kontrolli dhe rekomandime metodologjike. Kështu, krahas parimeve dhe rregullave që duhen ndjekur, dokumenti ofron edhe orientim praktik për zbatimin e tyre në situata të ndryshme.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mënyrës së analizimit dhe verifikimit të vlerës së deklaruar, dokumentacionit mbështetës, elementeve që duhen marrë në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit, si dhe procedurave të ndjekura në raste të veçanta.
Manuali trajton gjithashtu standardet e dokumentimit dhe të vendimmarrjes administrative, me synimin që procesi i vlerësimit të jetë i argumentuar, transparent dhe i mbështetur në të dhëna të verifikueshme.
Ky manual synon të shërbejë si një mjet pune për strukturat e Administratës Doganore. Ai ndihmon në unifikimin e praktikave të vlerësimit, rritjen e transparencës dhe cilësisë së vendimmarrjes, si dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Në të njëjtën kohë, standardizimi i praktikave dhe interpretimi i njëtrajtshëm i rregullave kanë për qëllim të rrisin sigurinë juridike në marrëdhëniet ndërmjet Administratës Doganore dhe operatorëve ekonomikë, të shmangin praktikat arbitrare dhe të mbështesin konkurrencën e ndershme.
Manuali është hartuar duke marrë në konsideratë legjislacionin shqiptar, Marrëveshjen e OBT-së për Vlerësimin Doganor, Kodin Doganor të Bashkimit Europian, si dhe praktikat e Komisionit Europian dhe Organizatës Botërore të Doganave. Në këtë drejtim, dokumenti mbështet edhe procesin e përafrimit të praktikave të Administratës Doganore Shqiptare me standardet dhe praktikat europiane e ndërkombëtare në fushën e vlerësimit doganor.
Manuali ka karakter shpjegues dhe orientues. Duhet mbajtur gjithmonë në vëmendje se Kodi Doganor dhe dispozitat e tij zbatuese mbeten baza ligjore, të cilat duhet të konsultohen në çdo rast.
