Von der Leyen: Shqipëria ka përmbushur mbi 80% të reformave, ka përfituar 213 milionë euro fonde
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Von der Leyen u shpreh se Shqipëria është ndër vendet kryesuese të procesit të anëtarësimit në BE dhe se vendi ka bërë një ecuri të rëndësishme. Ajo theksoi se në korrik Shqipëria mbylli 3 kapitujt e parë të negociatave për anëtarësimin.
Presidentja e Komisionit Europian u ndal gjithashtu te integrimi i Shqipërisë në SEPA (Single Euro Payments Area) dhe te puna për uljen e tarifave të roamingut, ndërkohë që vlerësoi bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare dhe atyre të Bashkimit Europian.
“Shqipëria është ndër vendet kryesuese të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka bërë një ecuri të mrekullueshme. Në korrik keni mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësimin. Ne qëndrojmë krah për krah kur vlerat dhe interesat tona vihen në pikëpyetje. Anëtarësimi i Shqipërisë do ta bëjë jo vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe Bashkimin Evropian më të fortë. Nevojiten reforma të mëtejshme në kapitujt e hapur, si drejtësia dhe mbrojtja e mjedisit. Reformat duhet të zbatohen në mënyrë që të sjellin ndryshime konkrete dhe të kontribuojnë në bashkimin përtej ndasive. Plani ynë i Rritjes synon të sjellë investime të Bashkimit Evropian në Shqipëri, të hapë disa pjesë të tregut të përbashkët dhe që ju të miratoni reformat që ju nevojiten, në mënyrë që kompanitë shqiptare të jenë konkurruese. Shqipëria po ecën shumë mirë me Planin e Rritjes. Keni përmbushur mbi 80% të reformave. Keni marrë 213 milionë euro fonde dhe pritet të merrni edhe të tjera. Po punojmë edhe për uljen e tarifave të roamingut. Për bizneset e BE-së dhe ato shqiptare, bashkëpunimi po ecën shumë mirë”, pohoi ajo.
Kryeministri Rama: Do të ketë transparencë të plotë për projektin e Zvërnecit
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama u ndal te projekti i shumëdiskutuar në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se qeveria pret studimin e thelluar mjedisor.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se në ditët e ardhshme qeveria do të publikojë të gjithë dokumentacionin për projektin e Zvërnecit përmes platformës “Pasqyra”.
“Për Zvërnecin presim studimin e thelluar mjedisor. Kemi hedhur hapa për transparencën dhe, në ditët e ardhshme, do të hapim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve për projektin e shumëdiskutuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se vizita e von der Leyen në Shqipëri ka një përmbajtje të rëndësishme në raport me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi edhe përpjekjet e vendit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjeve madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe, bashkërisht, kemi konstatuar se tashmë është shumë e qartë: nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, u shpreh Rama.
