Koreja e Veriut ka zbuluar raketën e saj balistike ndërkontinentale, Hwasong-20, e cila nga mediat shtetërore u përshkrua si “sistemi më i fuqishëm bërthamor strategjik”. Ky prezantim u bë gjatë një parade ushtarake në ditën e 80-vjetorit të Partisë Punëtore, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Rusia dhe Kina.
Gjatë paradës u ekspozuan dronë, raketa tokë-ajër dhe tokë-tokë, duke synuar t’i treguan botës aftësitë “të pakapshme” të ushtrisë së izoluar të Koresë së Veriut. Njëkohësisht, qytetarët, të cilët u detyruan të merrnin pjesë, brohoritën nën flamurin kombëtar.
Udhëheqësi Kim Jong Un përmendi gjithashtu pjesëmarrjen e forcave koreano-veriore në Ukrainë, krah për krah me ato ruse, duke raportuar rreth 600 ushtarë të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur, sipas të dhënave nga Seuli.
Ekspertët theksojnë se ky demonstrim nuk është thjesht propagandë, por pasqyron një ndryshim strukturor në politikën rajonale. Ai sinjalizon gatishmërinë e Phenianit për të sfiduar aleancën Seul-Uashington, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.
Analistët shprehin shqetësim për qëndrimin izolues dhe militarizimin ekstrem të Koresë së Veriut. Ata paralajmërojnë se shpenzimet e mëdha për armë bërthamore, ndërkohë që popullsia përballet me varfëri dhe shtypje, paraqesin rreziqe jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë banorët e Koresë së Veriut.