Një situatë e rënduar trafiku është regjistruar ditën e sotme në aksin dytësor Vorë–Maminas. Për pasojë të bllokimit të një segmenti të autostradës që lidh këto zona, trafiku është përqendruar në rrugën dytësore, duke krijuar një varg të pandërprerë automjetesh nga kryqëzimi i Budullës deri në zonën e Maminasit. Kolona e automjeteve vlerësohet të jetë mbi 15 kilometra.
Policia, për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës për punime, ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë të pranishme në çdo kryqëzim dhe segment rrugor për të menaxhuar dhe lehtësuar qarkullimin.
Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur vonesat.