Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Castel D’Azzano, pranë Veronës, në Italinë e veriut, ku tre karabinierë humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm. Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni të forcave të policisë për të nxjerrë nga një ndërtesë dykatëshe tre persona që kishin pushtuar pronën.
Shpërthimi, që dyshohet se u shkaktua nga një grua 60-vjeçare, ka sjellë shembjen e ndërtesës, duke lënë nën rrënoja tre karabinierët. Gjithashtu, 11 policë të tjerë u dërguan në spital me dëmtime, por sipas mjekëve, gjendja e tyre nuk është kritike.
Shpërthimi, i cili u dëgjua në një rreze prej pesë kilometrash, mendohet se u shkaktua nga shishe gazi. Brenda shtëpisë u gjetën pesë shishe gazi të hapura dhe bomba molotov. Gruaja që dyshohet se shkaktoi shpërthimin dhe një burrë që banonte aty u dërguan në spital me lëndime. Vëllai i saj, që jetonte gjithashtu aty, është në kërkim.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e cilësoi ngjarjen si dramatike, duke shtuar se shpërthimi duket të ketë qenë i qëllimshëm, si pasojë e rrjedhjes së gazit, pasi personat nuk dëshironin të largoheshin nga prona e pushtuar.