Një ngjarje tronditëse në Itali ka sjellë vdekjen e 3 karabinierëve dhe plagosjen e 16 ushtarëve e oficerëve policie, pas një shpërthimi në një banesë në Castel D’Azzano, provinca e Veronës.
Policia kishte shkuar për të evakuuar banesën dykatëshe, ku banonin tre familjarë (dy vëllezër dhe motra e tyre), kur ndodhi shpërthimi. Ndërtesa u shemb tërësisht, duke zënë në rrënoja forcat e policisë dhe ushtrinë, ndërsa tre karabinierët nuk mbijetuan.
Raportohet se banesa ishte mbushur me gaz dhe shpërthimi u shkaktua nga hapja e derës së përparme, sipas burimeve nga hetimet.
Dino dhe Maria Luisa Ramponi, vëlla e motër që mbetën të plagosur, u arrestuan në vendngjarje. Vëllai i tyre, Franco, i cili fillimisht u arratis, u arrestua në mëngjes.
Kryeprokurori i Veronës, Raffaele Tito, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të pabesueshme”, duke theksuar përpjekjet e forcave të rendit për të vepruar me siguri maksimale, por rezultatin e papritur dhe të dhimbshëm.
Dy vëllezërit dhe motra janë arrestuar për vrasje me paramendim. Hetuesit zbuluan se ata kishin mbushur më parë banesën me gaz për të parandaluar dëbimin nga shtëpia, duke përsëritur një incident të ngjashëm nga tetori i vitit të kaluar.
Në vendngjarje u gjetën pesë ose gjashtë bombola gazi, dhe shpërthimi dyshohet të ketë ndodhur në katin e parë.