Minatorët e Spaçit akuzojnë për hakmarrje dhe shkarkime
Në ditën e dhjetë të protestës për kushte më të mira pune, minatorët e Spaçit akuzojnë kompaninë “TETE Albania” për hakmarrje dhe shkarkime kolektive. Rreth 70 punonjës të nëntokës në Spaç kanë bojkotuar punën dhe kërkojnë njohjen e sindikatës së tyre.
Kompania nuk ka pranuar të ulet në bisedime, duke pretenduar se sindikata nuk plotëson kriteret ligjore. Punonjësit, megjithatë, pretendojnë se kompania turke ka nisur të hakmerret duke u shkarkuar 16 minatorë, të cilëve u janë komunikuar vendimet përmes telefonit pasi nuk pranuan zarfet.
Minatorët thonë se veprimet e kompanisë janë antiligjore dhe se ata nuk e njohin vendimin për largim nga puna, pasi ndodhen në protestë. Ata paralajmërojnë se reagimi do të përshkallëzohet deri në grevë urie, nëse kompania vazhdon me presion dhe shantazh.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të kompanisë turke, por pa arritur një marrëveshje. Gjoni ka theksuar se kërkesat e minatorëve për njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive janë të drejta ligjore. Ai i ka kërkuar kompanisë të nisë dialogun dhe institucioneve përgjegjëse të ndërmjetësojnë për një proces të drejtë.