Probleme të vazhdueshme për Mario Mitajn, Serxhio Konseisao e lë jashtë ekipit mbrojtësin kuqezi që në debutim
Serxhio Konseisao mori drejtimin e Al Itihad javën e kaluar, por vetëm sot bëri debutimin e tij zyrtar në stolin e klubit në Arabinë Saudite. Për Mario Mitajn, ky debutim nuk solli lajme të mira. Ashtu si paraardhësi i tij, Loran Blank, edhe Konseisao ka vendosur të lërë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare jashtë listës së ekipit për ndeshjet e kampionatit.
Kështu, mbrojtësi i majtë është stërvitur rregullisht me ekipin, por nuk ka qenë në protokoll për ndeshjen e luajtur sot në Riad kundër Al Fajha, e cila përfundoi 1-1, pasi Benzema humbi një penallti në minutën e 88-të.
Lënia jashtë e Mitajt në këtë sfidë, si edhe në të mëparshmet, vjen për shkak se në Arabinë Saudite, në protokoll mund të përfshihen vetëm 8 lojtarë të huaj. Rajkoviç, Danilo Pereira, Kante, Fabinjo, Diabi, Benzema dhe Bergvajn ishin titullarë të huaj sot te Al Itihad, ndërsa Dumbia u aktivizua në pjesën e dytë nga Konseisao në këtë duel.
Nëse situata nuk ndryshon, për Mitajn do të jetë një problem i madh aktivizimi në radhët e Al Itihad në muajin e ardhshëm, deri në ndeshjet e radhës të Kombëtares. Përjashtim mund të bëjnë vetëm duelet e Ligës së Kampioneve të Azisë, ku nuk ka kufizime për lojtarët e huaj në radhët e skuadrave.