Shqetësime në Moskë nga raketat Tomahawk, si po kthehet lufta në favor të Ukrainës
Rusia po e trajton me seriozitet të madh mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i dërgojnë Ukrainës raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka deklaruar se “Çështja e raketave Tomahawk na shkakton shqetësim të madh”.
Këto lloj raketash nuk ndikojnë drejtpërdrejt në vijën e parë të frontit, pasi përdoren për të goditur objektiva në thellësi të territorit. Raketat Tomahawk kanë aftësinë të godasin caqe deri në 1.600 kilometra larg, duke vënë në rreze goditjeje dhjetëra baza ushtarake, qendra komanduese dhe instalime të mbrojtjes ajrore të Rusisë.
Sipas një analize të BBC, këto raketa:
- Fluturojnë në lartësi të ulët.
- Mund të ndryshojnë itinerarin gjatë fluturimit.
- Janë shumë të vështira për t’u interceptuar.
Këto karakteristika u mundësojnë atyre të godasin me saktësi të lartë.
Ashtu si çdo armë me rreze të gjatë veprimi, edhe Tomahawk-ët kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me vendin furnizues, në këtë rast SHBA, për shkak të nevojës për informacion të detajuar mbi objektivat. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara Veriore ka gjasa të mos jenë në gjendje të furnizojnë Ukrainën me një numër të madh të këtyre raketave.
Megjithatë, edhe një numër i kufizuar, në kombinim me armët që Kievi tashmë përdor për të sulmuar objektiva si rafineritë e naftës, duke goditur Rusinë në aspektin ekonomik, mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e luftës.