Mbështetje për UÇK-në: Mesazhet e qytetarëve nga Kosova në Tiranë
Protestues nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Europës janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ata kërkojnë lirimin e “çlirimtarëve” të UÇK-së, të cilët, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Sami Hoti nga Rugova e Gjakovës ka vendosur të marrë pjesë në protestë për shkak të padrejtësisë ndaj luftëtarëve të UÇK-së. “Të lirohen sa më shpejt, pasi po mbahen padrejtësisht. I bëj apel të gjithë shqiptarëve, atij që e ndien veten shqiptar, të na bashkëngjitet në këtë protestë,” tha ai.
Muhamet Beqiri nga Skenderaj u shpreh se sot, të rritur e fëmijë duhet të jenë në këtë shesh për këtë protestë. “Mesazhi im dhe i gjithë këtyre është që të lirohen sa më shpejt të pafajshmit. Le të arrestohen udbashat që kanë vrarë dhe masakruar,” tha ai.
Qytetari nga Tirana, Aliu, thekson se ka dalë në protestë për “gjakun e shqiptarëve”. “Të lirohen ushtarët e UÇK-së. Nuk kam ardhur për politikanët, sepse këta janë të gjithë të korruptuar, por kam ardhur për gjak shqiptar,” tha ai.
Nga ana tjetër, një qytetar nga Vushtrria deklaroi se popullit të Kosovës po i bëhet padrejtësi, pasi nëse dënohet UÇK-ja, dënohet i gjithë populli shqiptar. “Jemi në përkrahje të çlirimtarëve, falë tyre sot Kosova gëzon lirinë, falë tyre fëmijët shkojnë lirshëm në shkollë, falë tyre çdo infrastrukturë, çdo arritje që është bërë, duke filluar nga policia, ushtria, nga të gjitha, i kemi falë çlirimtarëve… Njëherë e përgjithmonë të vendoset drejtësia në vend. Paqësisht kemi pasur padrejtësi ndaj Haradinajt, Limajt, pastaj ka ndodhur gjykata e UNMIK-ut që ka qenë inkriminuese, e padrejtë, tani EULEX, tash një gjykatë e specializuar me urdhër me dëshmitë e falsifikuara nga Serbia,” tha ai.
Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme, ata njoftuan në një konferencë për media se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusa.