Autoritetet palestineze po përdorin buldozerë për të nxjerrë trupat izraelitë nga rrënojat në jug të Gazës.
Autoritetet palestineze në Rripin e Gazës vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupave të pengjeve izraelitë nën rrënojat e lëna pas nga ushtria izraelite pas dy vjetësh luftë. Kërkimet janë përqendruar në jug të Gazës, me mjete të kufizuara dhe praninë e grupeve të sigurisë të armatosura.
Më saktësisht, në Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës, tre buldozerë po punojnë mes grumbujve të rrënojave, duke kërkuar trupat e pengjeve izraelitë. Sipas Hamasit, ata u vranë nga sulmet izraelite ndërsa mbaheshin në ambiente nëntokësore.
Fraksionet e armatosura që veprojnë në zonë kanë marrë përsipër mbrojtjen e vendit, ndërsa grupet e shpëtimit përpiqen të afrohen në vendet ku besohet se janë eshtrat. Operacionet janë të vështira dhe të ngadalta, pasi mungesa e mjeteve teknologjike kufizon përpjekjet për gërmim. Grupet mbështeten kryesisht në makineri të rënda për të larguar rrënojat, pa pasur pajisje të specializuara ose sisteme kërkimi.
Krahahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftoi të mërkurën se po bën përpjekje për të “mbyllur çështjen” e pengjeve izraelitë, duke theksuar se nevojitet pajisje speciale dhe mjete teknologjike për të gjetur dhe nxjerrë trupat nga rrënojat.
Që nga e hëna, Hamas ka liruar 20 pengje izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar 10 trupa, nga gjithsej 28 që përfshihen në marrëveshjen e shkëmbimit me Izraelin. Sipas Tel Avivit, megjithatë, një nga dhjetë trupat e dorëzuar nuk përkon me asnjë nga të zhdukurit të regjistruar, duke ngritur numrin total të të vdekurve të konfirmuar në 19.
Marrëveshja, e arritur javën e kaluar bazuar në planin e presidentit amerikan Donald Trump, parashikon në fazën e parë lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur. Plani përfshin gjithashtu rindërtimin gradual të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri administrativ pa përfshirjen e Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, nga operacionet izraelite kanë vdekur 68,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke kthyer Gazën në një zonë thuajse të pabanuar.