Shpërndanin lëndë narkotike në formë xhelatine, arrestohen dy persona në Tiranë
Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve të dyshuara narkotike kanabis në formë xhelatine. Ngjarja ka ndodhur në një lagje të rrugës “Xhanfize Keko”.
Gjatë operacionit të koduar “STOP”, të organizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, u arrestuan shtetasit D. B., 35 vjeç dhe E. X., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në momentin e arrestimit, në hyrje të një pallati, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., u sekuestruan rreth 802 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 3 armë të ftohtë (thika).
Hetimet, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të identifikuar persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.