Zheni Bebi Gjergji drejtore spitalit Elbasan, kritika opozitës

Flet Zheni Bebi Gjergji, blerja e fundit e Ramës në radhët e PD

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Bebi Gjergji, ka habitur anëtarët e kësaj partie këtë të martë, pasi u prezantua si Drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit. Ky post i është ofruar nga mazhoranca socialiste, e cila në çdo kohë është e hapur për “blerje” të reja nga kampi kundërshtar.

Kryeministri Edi Rama po nxit drejtpërdrejt kalimin e opozitarëve në poste drejtuese në administratë, si një mënyrë për të demoralizuar edhe atë pak opozitë që ka mbetur sot. Megjithatë, ndryshe nga ish-demokratët e tjerë, të cilët heshtën pasi u ulën në “prerë” të Edi Ramës, Zheni Bebi Gjergji ka vendosur të flasë, duke e kamufluar tradhtinë e bindjeve të saj politike me një thirrje profesionale.

Në një status në rrjetet sociale, ajo shprehet se “është mjeke” dhe se shëndetësia kishte nevojë për njerëz që e njihnin sistemin.

Postimi i Zheni Bebi Gjergjit:

Të nderuar miq,

Të nderuar qytetarë të Elbasanit,

Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua.

Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri. Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike.

Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor.

Scroll to Top