Protestë për mungesë ilaçesh në Onkologji: Tetori i Zi

Tetori i Zi: Protestë para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e ilaçeve

Gazetari Osman Stafa, së bashku me qytetarë të tjerë, protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të mungesës së ilaçeve në Klinikën e Onkologjisë.

Protestuesit mbanin në duar tullumbace të zeza, si një formë simbolike kundër asaj që ata e cilësuan si “propagandë qeveritare” lidhur me kontrollin e kancerit të gjirit, ndërkohë që në spitale mungojnë medikamentet për pacientët e prekur nga kjo sëmundje.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, pak para fillimit të protestës, gazetari Stafa shprehu revoltën e tij, duke akuzuar kryeministrin Rama për “hipokrizi të frikshme”. Ai theksoi se ndërkohë që u bëhen thirrje grave për të kryer mamografi falas, aparatura e mamografisë në QSUT nuk është funksionale.

“A e ka lexuar Rama raportin e KLSH-së, që vërteton mungesat kriminale të barnave onkologjike? A e di që gra të pafajshme po vdesin, sepse shteti i tij nuk bleu medikamentet në kohë?” – pyeti gazetari.

Stafa shtoi se ky është “Tetori i Zi” për gratë që luftojnë për jetën e tyre, ndërsa qeveria bën “propagandë me buzëqeshje dhe video”.

Postimi i plotë:

Rama tallet me gratë e Onkologjikut!

Sot Kryeministri Rama, me një hipokrizi të frikshme, u thotë grave të bëjnë mamografi falas, ndërkohë që mamografia në QSUT është jashtë funksioni!

Si mund të flasësh për “parandalim”, kur nuk ka as trajtim? Kur brakiterapia është e prishur prej muajsh… Kur PET Scan-i mungon… Kur kimioterapitë s’kanë ardhur me muaj dhe pacientet kthehen në shtëpi pa ilaçe, pa shpresë…

A e ka lexuar Rama raportin e KLSH-së, që vërteton mungesat kriminale të barnave onkologjike? A e di që gra të pafajshme po vdesin, sepse shteti i tij nuk bleu medikamentet në kohë?

Ky nuk është Tetori Rozë. Ky është Tetori i Zi i grave që luftojnë çdo ditë për jetën, ndërsa qeveria bën propagandë me buzëqeshje dhe video.

Prandaj sot protestojmë kundër kësaj propagande të fëlliqur, që këtë herë ka në mes, jetët e grave!

Scroll to Top